Lajme

13 vite nga protesta e përgjakshme, Rama mesazh: Drejtësi për 21 Janarin

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një mesazh, teksa sot bëhen 13 vite nga protesta e përgjakshme e 21 Janarit, ku humbën jetën Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Rama teksa kujton “21 Janarin”, kërkon që të bëhet drejtësi për këtë ngjarje, ku nga godina e Kryeministrisë u derdhën plumba drejt protestuesve, duke lënë të vdekur 4 persona.

“MIRËMËNGJES DREJTËSI për 21JANARIN”, shkruan Rama krah postimit të tij.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

E gjitha nisi rreth orës 14:00 kur protestuesit e mbledhur nga e gjithë Shqipëria përshkruan  rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” përpara Kryeministrisë. Protesta u organizua nga PS, pas publikimit të videos Meta-Prifti. Ndërsa turma nisi me thirrjet kundër kryeministrit të atëhershëm, Sali Berisha. Në vetëm pak minuta filluan edhe hedhjet e sendeve të forta drejt godinës së Kryeministrisë.

Efektivët e Gardës duke parë që protesta po merrte të tjera dimensione, rreth orës 14:30 u shtuan edhe më shumë në oborrin e Kryeministrisë. Ndërsa një makinë me ujë me presion filloi të lagte protestuesit. Ky veprim irritoi edhe më shumë protestuesit, të cilët filluan të hedhin drejt Gardës sende të forta, pllaka trotuari dhe ç’tu dilte përpara. Në këtë moment ata u ngjitën në kangjellat e Kryeministrisë, por nuk arritën të futen brenda. Ndërsa një pjesë tjetër e protestuesve hipën edhe mbi godinën e Piramidës, nga ku godisnin me pllaka guri. Nga këto sulme, shumë efektivët të Gardës së Republikës pësuan një sërë dëmtimesh fizike.

Pas kësaj, Garda reagoi duke qëlluar fillimisht me fishekë manovër, ndërsa kur situata u tensionua edhe më shumë, filluan të qëllojnë me fishekë luftarakë në ajër. Një pjesë e efektivë me shkopinj gome filluan të godasin dhe të nxjerrin jashtë protestuesit që ishin futur brenda kangjellave rrethuese të Kryeministrisë.

Ishte ora 16:10, nga Kryeministria u dëgjuan të shtëna armësh. Më vonë u vërtetua se qëlluan njëkohësisht Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, nga Kryeministria drejt turmës së protestuesve. Si pasojë, humbën jetën Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekura Deda dhe Faik Myrtaj. Po ashtu, mbetën të plagosur edhe 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe gazetari Fatos Mahmutaj. Nuk vonoi shumë dhe Kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp dhe tha se donin t’i bënin puç.

Më vonë efektivët që qëlluan drejt turmës dhe lanë të vdekur 4 persona, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, dolën të pafajshëm nga Kryeministria.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo