Buzë digës së Liqenit Artificial të Tiranës do të ndërtohet një qiellgërvishtëse që do të renditet mes disa prej kullave më të larta në kryeqytet. Ajo do të mbajë emrin “Vistas Lake” dhe është planifikuar të ketë 34 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë.
Kulla do të mbajë emrin “Vistas” për kompaninë që po e ndërton “Vistas Enterprises” dhe “Lake” për Liqenin e Tiranës, në krah të të cilit do të ndërtohet.
Si për ironi, pronarët e tokës dhe njëherësh ndërtuesit kanë vendosur të mbyllin një universitet për të ndërtuar një kullë. Ata janë tre vëllezërit Dudaj, të cilët kanë vendosur të “kyçin” godinën e universitetit “Marin Barleti” dhe të ndërtojnë qiellgërvishtësen 34 kate.
“Në krah të liqenit të Tiranës, VISTAS Lake ndodhet vetëm disa minuta larg, ecje në këmbë, nga qendra e qytetit dhe zona e Bllokut. Rezidenca multifunksionale e VISTAS Lake është një vlerë e shtuar për komunitetin dhe mjedisin global.
Duke vlerësuar strategji të qëndrueshme gjatë procesit të projektimit dhe duke zhvilluar performancën e ndërtesës, ne ofrojmë një vizion të ri të jetesës, punës dhe bashkëveprimit në një nga rezidencat më moderne dhe të sofistikuara në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
“Vistas Enterprises” e vëllezërve Adriatik, Besnik dhe Gafur Dudaj ka marrë dritën jeshile nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe shpejt pranë digës së liqenit do nisë puna për një nga qiellgërvishtëset e reja të Tiranës.
Në fakt, tre vëllezërit janë akuzuar shpesh në media për favore nga qeveria socialiste. Madje, ata janë akuzuar dhe për një episod që thuhet se ka favorizuar zhdukjen e biznesmenit të basteve, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, Ervis Martinaj.
41 vjeçari i kërkuar nga Prokuroria e Posaçme për disa ngjarje kriminale, gjurmët e fundit i ka pasur në Hotel “Adriatik” në Durrës. Ai ka shkuar atje me policin e Operacionales Jeton Lami dhe një vajzë të njohur të shpallur Miss Shqipëria, por nuk është regjistruar për natën që ka qëndruar.
Familjarët e Ervis Martinaj kanë siguruar pamjet dhe ia kanë dorëzuar ato drejtësisë. Nga këqyrja e tyre ka rezultuar se gjurmët e fundit të biznesmenit të basteve dhe bosit të kumarit kanë humbur në Durrës. Dhoma ku ai qëndroi me të dashurën, rezultonte e regjistruar në emër të policit Jeton Lami.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo