Lajme

Hynë me forcë në parlamentin izraelit, familjarët e pengjeve kërkojnë lirimin e tyre

Familjarët e personave të cilët prej kohësh po mbahen peng nga grupi kriminal “Hamas” janë futur me forcë në mbledhjen e komisionit parlamentar në Izrael.

Ata kanë kërkuar që Izrael të sigurojë një marrëveshje me Hamas për lirimin e pengjeve. Me pankarta në duar, familjarët e pengjeve brohorisnin “Nuk do të rrini ulur këtu ndërkohë që ata po vdesin atje!”, “Këta janë fëmijët tanë!” thërrisnin ata.

Ky zhvillim është shenjë e trysnisë së shtuar ndaj Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Para publikut izraelit ai po këmbëngul se ofensiva shkatërrimtare ndaj Gazës është mënyra e vetme për të siguruar lirimin e pengjeve. Njëkohësisht, ai ka refuzuar vizionin amerikan për një zgjidhje të pasluftës, duke deklaruar se nuk do të lejojë kurrë krijimin e shteti palestinez.

Mosmarrëveshjet rreth të ardhmes së Gazës e kanë vendosur Izraelin kundër aleatit të saj kryesor dhe shumicës së bashkësisë ndërkombëtare. Kjo ka sjellë që mbështetja për Izraelin është ulur në mbarë botën që nga 7 tetori e deri më tani.

Sipas të dhënave që “TIME” ka siguruar nga kompania hulumtuese “Morning Consult”, është vërejtur se në 42 nga 43 vende është ulur mbështetja ndaj Izraelit.

Anketimi u bazua në 300 deri në 6 mijë përgjigje të marra mes tetorit dhe dhjetorit 2023 në 43 vende nga 6 kontinente.

Ndërkohë, sulmet izraelite dhe bombardimet janë shtuar brenda dhe përreth qytetit Khan Yunis në Rripin e Gazës. Familje të tëra palestineze po ikin nga kjo pjesë për në jug.

Brenda qytetit, i cili është shndërruar në zonë luftimesh për javë të tëra, njerëzit hapën varre për të varrosur të vdekurit brenda oborrit të spitalit Al-Nasser ndërkohë që punonjësit e spitalit po mundoheshin t’u jepnin ndihmë dhjetëra të vrarëve dhe të plagosurve, në mesin e të cilëve edhe fëmijë. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, të paktën katër shkolla në të cilat po strehoheshin të zhvendosurit nga pjesët tjera të qytetit, përfshirë zonat e shpallura si të sigurta, janë sulmuar.

Interneti dhe sinjalet e celularëve sërish u ndërprenë të hënën, për të dhjetën herë që nga fillimi i luftës. Ndërprerja e vazhdueshme, sipas zyrtarëve të OKB-së, po pengon rëndë shpërndarjen e ndihmave që janë jetike për popullatën 2.3 milionëshe të Gazës.

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo