Lajme

NATO-ja blen municione në vlerë të 1.1 miliardë eurove

NATO-ja ka nënshkruar kontratë në vlerë të 1.1 miliard eurove për municion artilerie 155 milimetrash, ka thënë të martën aleanca.

Një pjesë e tyre do të dërgohen në Ukrainë, pas ankesave të këtij vendi se mungesa e municioneve është duke i penguar përpjekjet për mbrojtje kundër pushtimit rus.

“Lufta në Ukrainë është bërë betejë municionesh”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg, pas ceremonisë së nënshkrimit të kontratës në selinë e aleancës në Bruksel. NATO-ja e ka nënshkruar marrëveshjen në emër të shumë aleatëve që ose do t’i dërgojnë municionet në Ukrainë, ose do t’i ruajnë në magazinat e tyre ushtarake.

Zyrtarë policorë dhe disa banorë të mbledhur afër një zone të sulmuar në Ukrainë më 23 janar. Blerja e muncioneve me shumicë u garanton atyre çmime më të ulëta.

Vendet e NATO-s pritet të pranojnë rreth 220.000 pjesë municionesh artilerie, dhe dërgesat e para pritet të lëshohen në fund të vitit 2025, ka thënë një zyrtar i NATO-s për agjencinë e lajmeve Reuters. Ato do të prodhohen prej kompanisë franceze Nexet dhe asaj gjermane Junghans. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo