Gjykata Kushtetuse ka shtyrë për më 29 Janar seancën e radhës, ku po trajtohet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.
Sakaq, vetëm pak orë më parë, parlamenti italian e miratoi marrëveshjen me 155 vota pro, 115 kundër dhe 2 abstenim.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi në datën e rënë dakord mes palëve dhe mbetet në fuqi për 5 vite me mundësi rinovimi në heshtje përveç rastit kur njëra prej palëve nuk e dëshiron më një gjë të tillë.
Kujtojmë se GJK i ka kërkuar nga Këshilli i Ministrave paraqitjen e provave, ku përfshihet paraqitja e Traktatit të Miqësisë me Italinë e vitit 1995. Shkak sipas Kushtetueses është bërë pretendimi i Këshillit të Ministrave, e cila thotë se kjo marrëveshja bazohet në Traktatin e Miqësisë me Italinë. Gjykata Kushtetuese gjithashtu ka shtyrë seancën për në datën 24 janar.
Sa i takon kërkesës së grupit të deputetëve për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.
Kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij nga Italia, Girogia Meloni nënshkruan një marrëveshje, ku Shqipëria do jetë vend pritës për emigrantët që shpëtohen në det, jo për ata që mbërrijnë në territorin italian.
Dy qendrat në Shqipëri do të kenë një kapacitet për 3 mijë persona në muaj. Një nga qendrat pritet të ndërtohet në Shëngjin, ku Italia do të kujdeset për financat dhe procedurat e zbarkimit dhe identifikimit, ndërsa qendra tjetër do të ndërtohet në Gjadër.
Gjithashtu dhe Meloni deklaroi se në Portin e Shëngjinit do të ngrihet qendra për pritjen e refugjatëve që do të jetë nën juridiksionin e Italisë, dhe një tjetër strukturë do të ngrihet në Gjadër për akomodimin e tyre, deri sa të shqyrtohen kërkesat për azil, ndërsa Shqipëria do të kontribuojë vetëm me sigurinë. Kjo qendër parashikohet që të jetë gati në pranverë.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo