Lajme

E gjuajtën me vezë jashtë SPAK-ut, Dule: Pas sulmit qëndron Rama

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, ka komentuar incidentin e pakëndshëm të regjistruar paraditen e kësaj të mërkure, ku u godit me vezë teksa do të futej në ambientet e të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, aty ku dhe u zhvillua seanca gjyqësore për Fredi Belerin.

I ftuar në emisionin “Breaking” me Dafina Hysa, Dule tha se ishte një situatë e papëlqyeshme dhe sipas tij mbrapa asaj situate ndodhej kryeministri Edi Rama.

 “Ishte një situatë e papëlqyeshme që askush nuk do të dëshironte të gjendjet. E papritur, as nuk i kisha parë ndonjëherë këto persona, as emrat nuk i kisha dëgjuar mesa pyeta. Mesazhi nuk më drejtohej mua personalisht. Pas sulmit të sotëm me vezë, qëndron Rama”, tha Dule, teksa më tej foli dhe për qëndrimet e Greqisë sa i përket gjyqit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Duke u shpreh se qëndrime e Greqisë janë normale dhe të drejta, teksa theksoi se kur kryebashkiakut i privohet e drejta për tu betuar atëhere çdo vend ka të drejtën për t’u interesuar për fatet e minoritetit të vet në Shqipëri.

 “Janë shumë të vëmendshëm. Greqia ka të drejtën legjitime për t’u interesuar për fatet e minoritetit të vet në Shqipëri. Greqia nuk ka thënë Beleri është i fajshëm, Beleri të dalë i pafajshëm. Një njeri që prezumohet i pafajshëm ka të drejtën Kushtetuese të zgjedhjes, dhe zgjedhja përfundon me betimin, dhe kur privohet kjo e drejtë, ka të drejtë jo vetëm Greqia por edhe Holanda, edhe Parlamenti Europian. Pse mbeteni Greqia Greqia, dhe kultivoni një paragjykim? Sot e drejtat e njeriut janë universale, kemi detyrime që duhet t’i zbatojmë”, tha Dule ndër të tjera, duke theksuar më tej se çështja Beleri tashmë nuk është vetëm midis Shqipërisë dhe Greqisë, por është çështja e respektimit të të drejtave.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo