Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka reaguar pas vendimit të marrë mëngjesin e kësaj të enjte nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, e cila refuzoi ankimimin e liderit të Partisë Demokratike, duke e lënë në “arrest shtëpie”.
Sipas avokatit qëllimi i një vendimi të tillë nga Apeli i GJKKO-së është izolimi i Sali Berishës. Teksa theksoi se beteja e tyre do të vazhdojë, Gjokutaj paralajmëroi ankimin të masës në Gjykatën e Lartë.
Gjithashtu ai tha se sa i përket kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Gjykata.
“U dekriptua qëllimi politik i mbajtjes. Nuk ka rëndësi nëse ish- kryeministri paraqitet apo është në dispozicion të hetimit. Qëllimi është që ai të izolohet. Gjykata nuk është shprehur gjithashtu mbi kërkesën për përjashtimin që kemi ankimuar. Beteja vazhdon”, tha Gjokutaj.
Apeli i Posaçëm rrëzoi sot ankimimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili kërkoi masë më të butë sigurie.
Për rrjedhojë Berisha do të vazhdojë të mbetet në arrest shtëpie. Sali Berisha kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arreste shtëpie” që ju caktua nga GJKKO më 30 Dhjetor 2023, si edhe përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja. “Arresti në shtëpi”, vijon të jetë në fuqi, ndërsa sa i përket kërkesës tjetër, përjashtimit të Gjokës nuk ka ende një vendim.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo