Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbetët e brishtë, tha të premtën në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit me Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiç.
“Shpërthimet e dhunës vitin e kaluar në Kosovë ishin të papranueshme. NATO u përgjigj me shpejtësi, duke dërguar 1,000 trupa shtesë dhe mjete të blinduara. Jemi të përkushtuar të sigurohemi që KFOR-i vazhdon ta përmbushë mandatin e vet sipas OKB-së”, tha zoti Stoltenberg.
Kryeministri i Malit të Zi, Spajiç, vendi i të cilit është anëtarësuar në NATO para shtatë vjetësh, tha se Podgorica e kupton se prania e NATO-s në rajon sjell siguri dhe stabilitet.
“Mali i Zi e kupton se shumë zhvillime globale kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme që tërheq, me të drejtë, vëmendjen e aleatëve. Por ne nuk duhet të harrojmë rajonin. Nënvizoj edhe njëherë rëndësinë e vazhdimit të pranisë së NATO-s në rajon, sepse kjo është një garanci e fortë e paqes dhe stabilitetit. Unë pres që kjo të rikonfirmohet në takimit e nivelit të lartë të ardhshëm të NATO-s në Uashington”, tha zoti Spajiç.
Përgjatë vitit 2023 ka pasur disa herë shpërthime të dhunës në Kosovë. Me 24 shtator, Kosova u gdhi me lajmin se një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe.
Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën, duke ngritur shqetësimin për qëndrueshmërinë në rajonin e brishtë. Rasti ende po hetohet ndërsa Beogradi ka hedhur poshtë akuzat e Prishtinës se qëndron prapa këtij sulmi.
Në muajin maj, të paktën 25 persona u lënduan gjatë përleshjeve të protestuesve serbë në Zveçan, në pjesën veriore të Kosovës, me ushtarët e KFOR-it. Ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani tha se u lënduan 11 pjesëtarë italianë të KFOR-it, 3 prej të ishin janë në gjendje të rëndë.
Situata e tensionuar në Kosovë u zhvillua pasi kryetarët shqiptarë morën detyrën në komunat e pjesës veriore ku shumica e banorëve janë serbë pas zgjedhjeve lokale që serbët i bojkotuan.
Pas këtyre përleshjeve presidenti serb Aleksandar Vuçiç vendosi ushtrinë në gatishmëri të plotë luftarake dhe urdhërojë njësitë ushtarake të afrohen më pranë kufirit me Kosovën.
Analistët thonë se lufta në Ukrainë i ka shtuar aktivitet e Moskës për të ripërtërirë ndikimin në Ballkan të cilin mundohet ta shfrytëzojë për të tërhequr vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.
Shefi i NATO-s foli sot edhe për anëtarësimin e Suedisë në NATO, një proces që po zgjat për një vit e gjysmë, duke thënë se kjo do të forconte aleancën ushtarake ndërsa vazhdon agresioni rus në Ukrainë.
Ai e përshëndeti vendimin e Turqisë për të miratuar kërkesën e Suedisë, ndërsa tha se pret që Hungaria ta bëjë këtë në fund të muajit të ardhshëm
“Unë jam absolutisht i sigurt dhe kam besim tek Hungaria se miratimi i anëtarësimit të Suedisë do të bëhet sapo të mblidhet parlamenti në fund të shkurtit”, tha shefi i NATO-s, Stoltenberg.
Suedia, së bashku me Finlandën, braktisën pozicionet e tyre tradicionale të mosangazhimit për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e NATO-s, pas agresionit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022./VOA
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo