Lajme

Hetimi për inceneratorin e Tiranës, Apeli i GJKKO rikthen në qeli Pëllumb Abeshin

Apeli i Posaçëm ka pranuar ankimimin e SPAK, duke lënë në fuqi masat e sigurisë “arresti me Burg” për shtatë të akuzuarit për Inceneratorin e Tiranës, ku mes tyre është edhe ish-ministri Lefter Koka.

Me këtë vendim të Apelit të Posaçëm, ish-kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, humb shanset për lirinë dhe rikthehet në qeli.

Dy muaj më parë Gjykata e Posaçme vendosi që të shuante masën e sigurisë “Arrest në burg” për Pëllumb Abeshin, i cili ishte arrestuar me vendim të datës 27 Mars 2022, për inceneratorin e Fierit.

Edhe më herët newsbomb.al konstatoi gabimin në vendimin e Gjykatës së Posaçme, pasi shtetasi Pëllumb Abeshi, i arrestuar në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Shpronësimit në Ministrinë e Mjedisit, për Inceneratorin e Fierit, nuk duhet të lirohej nga burgu.

Trupa gjykuese pranuan rreth dy muaj më parë kërkesën e Pëllumb Abeshit për liri, ku theksohej se lirimi i menjëhershëm duhet të kryhet nëse ky shtetas nuk mbahej i dënuar, i arrestuar apo i ndaluar për ndonjë vepër tjetër penale.

Pëllumb Abeshit më datë 9 Dhjetor 2023 i është komunikuar në burg masa e re e sigurisë “Arrest në burg”, për hetimet e Prokurorisë së Posaçme që lidhen me procedimin penal nr.255 të vitit 2020, që ka për objekt të hetimit veprimet e kryera për kontratën e koncesionit nr.6597 prot, datë 31.08.2017, “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë tregtare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, me vlerën e investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në shumën 128,248,330 Euro, pa TVSH.

Në këto kushte, newsbomb.al konstatoi se ish-drejtori nuk mund të lirohet nga qelia sepse masa e sigurisë “Arrest me burg” për të cilën ai ka bërë kërkesë dhe i është pranuar sot, nuk kishte lidhje me masën e re të sigurisë që Pëllumb Abeshit i është njoftuar një muaj më parë, për Inceneratorin e Tiranës.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo