Lajme

Pasi bëri homazhe në Prekaz, policia serbe ndalon vajzën e Sanduloviçit

Vajza e politikanit serb Nikola Sanduloviç, Klara, është ndaluar nga policia serbe, pak orë pasi bëri homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kryetari i Partisë Republikane Serbe përmes një postimi në “X”, ka thënë se vajzës së tij nuk i është lejuar kthimi në Serbi. Ai bëri me dije se e bija është duke u mbajtur në zyrat e pikës kufitare dhe po persekutohet nga regjimi dictatorial i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Regjimi diktatorial i Aleksandar Vuçiqit vazhdon ta persekutojë vajzën time, Klarën. Policia po e mban atë dhe zyrtarët e Partisë Republikane në pikëkalimin kufitar të Merdarit dhe nuk po i lejojnë të hyjnë në Serbi”, ka shkruar ai.

 

Më herët edhe vetë Sanduloviç u ndalua nga policia serbe, pasi në platformën X kërkoi falje për krimet e kryera ndaj familjes Jashari në Prekaz, tek publikoi edhe një video duke bërë homazhe në kompleksin memorial.  Mediat zienë nga dhuna që serbët i ushtruan politikanit.

Sulmi ndaj Nikola Sanduloviçit u dënua edhe nga autoritetet në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti tha se sulmi ndaj liderit opozitar është i ngjashëm me atë që presidenti rus u bën ndaj atyre që refuzojnë të mohojnë gjenocidin.

“Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që qeveria serbe ua imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin. Ai gjithashtu përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut (KEDNJ) dhe një sulm të ngjashëm me atë të Putinit ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, tha Kurti më herët

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo