Lajme

Sot zgjidhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Një kryeministër shqiptar do të zgjidhet sot për herë të parë në Maqedoninë e Veriut. Ai do të jetë Talat Xhaferi, i cili do të ketë një mandat prej 100 ditësh.

Ditën e sotme do të mblidhet Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ku pas diskutimeve pritet që të miratohet edhe qeveria teknike. Xhaferi ka paraqitur në Kuvend emrat e ministrave dhe programin.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, politikani shqiptar Talat Xhaferi dha zyrtarisht dorëheqjen nga detyra disa ditë më parë duke u përgatitur të jetë zyrtarisht kryeministri i parë shqiptar i atij vendi. Ai do të drejtojë qeverinë teknike deri në zgjedhjet e 8 Majit 2024.

Xhaferi ka drejtuar për dy mandate me radhë Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga partia e Ali Ahmetit dhe tashmë do të drejtojë dhe qeverinë e përkohshme.

“Të nderuar qytetarë, sapo e parashtrova dorëheqjen në pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Me ndjenjë krenarie dhe të përmbushjes, sepse në të dyja mandatet isha Kryetari i të gjithë deputetëve dhe qytetarëve; punoja me përgjegjësi, me profesionalizëm, në mënyrë të pavarur dhe me llogaridhënie. Ashtu edhe do të vazhdoj në sfidën e radhës”, shkruan Talat Xhaferi.

Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski ka dhënë dorëheqjen nga detyra, bashkë me anëtarët e tjerë të kabinetit.

Gjatë fjalës së tij të fundit si kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski tha se Talat Xhaferi do të mbajë të njëjtin drejtim dhe do të kujdeset për të gjithë qytetarët e Republikës. Më datë 28 Janar, politikani shqiptar do të marrë detyrën e kryeministrit teknik.

Presidenti Stevo Pendarovski të premten, pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit i cili flitet se do të jetë Jovan Mitreski, do t’ia caktojë mandatin kryeministrit teknik, Talat Xhaferit, i cili do të jetë dhe kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj 2024, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit e vendit do të zhvillohet më 24 prill. Njëqind ditë para zgjedhjeve, ose më 28 janar, do të formohet një qeveria teknike me në krye një kryeministër shqiptar.

Kjo është një praktikë që po praktikohet në tri ciklet e fundit zgjedhore bazuar në atë që njihet si “Marrëveshja e Përzhinës”.

Kush është Talat Xhaferi

Ai lindi më 15.04.1962 në fshatin Forinë të Gostivarit.  Shkollimin fillor e kreu në Çegran, fshatin fqinj, ndërsa pas kësaj shkoi në Beograd, ku kreu gjimnazin ushtarak. Pas kësaj vazhdoi karrierën e formësimit ushtarak, kështu që u regjistrua dhe studioi në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë të APJ drejtimi këmbësori në Beograd dhe më pas Sarajevë. Karrierën e tij e ka vazhduar në disa kazerma ushtarake të asaj kohe të Armatës Popullore të Jugosllavisë, ku thuhet se ka qenë në Nish, Sarajevë, etj.

Pas pavarësisë se Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lart dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.Më 28 prill të 2001,kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina. Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013.

Ai u rikthye si deputet në Kuvendin e Maqedonisë dhe në 2017 mori postin e Kryetarit të Parlamentit, duke u bërë kështu shqiptari i dytë në post pas Vullnet Starovës i cili ishte kryetar i Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të federatës së Jugosllavisë nga viti 1986 – 1991.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo