Lajme

Xhaferi: Zgjedhja ime si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, në kohën e duhur

Në Maqedoninë e Veriut, këtë të dielë më 28 janar, parlamenti i këtij shteti hedh në votim formimin e qeverisë së drejtuar për herë të parë në historinë e vendit, nga një kryeministër shqiptar.

Talat Xhaferi, i cili mbante postin e Kryetarit të Kuvendit, sot bëhet shqiptari i parë që është në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndonëse do të jetë qeveri teknike me mandat 100 ditësh.

Në një intervistë të bërë për Klan Kosova,  Xhaferi ka deklaruar se është fiks koha dhe momenti i duhur që Maqedonia e Veriut të këtë një kryeministër shqiptar.

“Mendoj se është në kohë dhe nuk është e vonuar, për faktin që aspektet procedurale dhe formale i përcakton Ligji për Qeverinë. Që përcakton se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhejve duhet të ketë qeveri teknike, e cila ka për prioritet organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve, dhe jo vetëm aspektet e kompetencave qeveritare dhe të funksionimit të institucioneve. Besoj se është në kohën e duhur dhe në momentin e duhur.” – ka deklaruar Xhaferi.

Talat Xhaferi, kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut më herët ka thënë dhe se ka qenë një tabu të flitet që shqiptarët të jenë në krye të institucioneve, por sipas tij tani ky është një realitet.

Xhaferi u propozua për kryeministër teknik nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti në koalicion qeveritar me LSDM-në.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo