Lajme

Kryeministër shqiptar në RMV, Ahmeti: Dikur na mohohej gjuha, sot po jetojmë barazinë

Zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut do të shkruhet në histori, si kryeministri i parë shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim Talat Xhaferi u zgjodh sot kryeministër i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, në një votim historik duke u bërë shqiptari i parë që do të drejtojë qeverinë në vendin fqinj.

Qeveria e tij do të ketë një mandat prej 100 ditësh, pra deri në zgjedhjet e 8 majit. Lidhur me këtë ngjarje madhore ka reaguar në rrjetin e tij social në Facebook, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.

Përmes një postimi në Facebook Ali Ahmeti thotë: “Dita e madhe historike për të cilën punuam të gjithë bashkë, ERDHI! Nga sot vendi ynë ka Talat Xhaferin, si Kryeministër të parë shqiptar!”.

Ndër rreshta Ahmeti thotë se rrugëtimi për këtë ditë ka qenë i gjatë dhe se gëzimi i shqiptarëve sot është plotësisht legjitim. Ahmeti shprehet më se i lumtur që sot shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po jetojnë në barazi njësoj si qytetarët me origjinë maqedonase. Një barazi që sipas Ahmetit po çon Maqedoninë e Veriut më afër Bashkimit Evropian.

Ahmeti vazhdon postimin duke thënë se nga viti 2001 e këndej shqiptarët e MV kanë thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, duke dëshmuar potencialin si popull si edhe ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit. Në përfundim Ahmeti i përcjell urimet më të sinqerta Talat Xhaferit, dhe anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar.

Postimi i plotë në Facebook
Të dashur qytetarë, vëllezër e motra,

Dita e madhe historike për të cilën punuam të gjithë bashkë, ERDHI! Nga sot vendi ynë ka Talat Xhaferin, si Kryeministër të parë shqiptar!

Rrugëtim të gjatë e të mundimshëm kemi bërë si popull për ta fituar atë që na takon ndër shekuj, pa pretenduar asnjëherë për të huajën, andaj është plotësisht legjitim gëzimi ynë i sotëm për këtë të arritur të madhe që dikur as nuk mund të imagjinohej.

Dikur në shtëpinë tonë na mohohej gjuha, arsimimi, punësimi nëpër institucione, na torturonte e shtypte pandalë sistemi i atëhershëm shtetëror, ndërsa sot po jetojmë barazinë si vlerë demokratike që e bënë këtë vend më të mirë dhe në prag të dyerve të Europës.

Marrëveshja e Ohrit ju dha tapinë shqiptarëve që të jenë dalzotës në shtëpinë e tyre. Nga viti 2001 e këndej kemi thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, dëshmuam potencialin tonë si popull në drejtimin e shtetit tonë në çdo pozitë institucionale dhe u treguam vendimtarë në ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit.

Jam i bindur se Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të jenë vazhdimësi e punës progresive që kemi bërë deri më tani, gjithmonë në shërbim efikas të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe të përkushtuar për reformimin e tij në frymën europiane.

Përcjell urimet e mia më të sinqerta deri te Talat Xhaferi, anëtarët e kabinetit të tij qeveritar dhe ju uroj punë të mbarë në sfidat që i presin gjatë kësaj periudhe të qeverisjes. Bashkë le të prijmë proceset jetike për të ardhmen tonë progresive, t’i themi JO Rusisë, PO Europës!

Talat Xhaferi është i pari politikan shqiptar që zgjidhet në këtë post në Maqedoninë e Veriut. Të pranishëm në seancë, ishin 11 deputetë nga 120 që ka në total Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Xhaferi u propozua për kryeministër teknik nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti në koalicion qeveritar me LSDM-në. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, politikani shqiptar Talat Xhaferi dha zyrtarisht dorëheqjen nga detyra disa ditë më parë duke u përgatitur të jetë zyrtarisht kryeministri i parë shqiptar i atij vendi. Ai do të drejtojë qeverinë teknike deri në zgjedhjet e 8 Majit 2024.

Talat Xhaferi ka drejtuar për dy mandate me radhë Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga partia e Ali Ahmetit dhe tashmë do të drejtojë dhe qeverinë e përkohshme.

Kush është Talat Xhaferi?

Talat Xhaferi i lindur  më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit, ka përfunduar akademinë ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ka shërbyer si epror i lartë në Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq, nga viti 1992 deri më 2001 ka qenë oficer i Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi i ishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Nga viti 2004 deri më 2006, ai shërbeu në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2008, Xhaferi sërish u zgjodh deputet, ndërkaq në vitin 2013 u emërua ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit. Nga viti 2014 deri në vitin 2016 sërish ushtroi postin e deputetit në Kuvendin maqedonas, ndërsa më 27 prill 2017 u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo