Kjo është fotografia zyrtare e qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, drejtuar për herë të parë nga një kryeministër shqiptar.
28 Janari i 2024-ës do të mbahet mend në histori, si dita ku një kryeministër shqiptar u zgjodh në krye të qeverisë në shtetin e Maqedonisë së Veriut.
Në një votim historik, Talat Xhaferi u zgjodh sot kryeministër i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut me 63 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim. Qeveria e teknike e Talat Xhaferit do të ketë një mandat prej 100 ditësh, pra deri në zgjedhjet e 8 majit.
Xhaferi u propozua për kryeministër teknik nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti në koalicion qeveritar me LSDM-në. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, politikani shqiptar Talat Xhaferi dha zyrtarisht dorëheqjen nga detyra disa ditë më parë duke u përgatitur të jetë zyrtarisht kryeministri i parë shqiptar i atij vendi. Ai do të drejtojë qeverinë teknike deri në zgjedhjet e 8 Majit 2024.
Talat Xhaferi ka drejtuar për dy mandate me radhë Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga partia e Ali Ahmetit dhe tashmë do të drejtojë dhe qeverinë e përkohshme.
Kush është Talat Xhaferi?
Talat Xhaferi i lindur më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit, ka përfunduar akademinë ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ka shërbyer si epror i lartë në Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq, nga viti 1992 deri më 2001 ka qenë oficer i Armatës së Maqedonisë së Veriut.
Gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi i ishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Nga viti 2004 deri më 2006, ai shërbeu në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.
Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2008, Xhaferi sërish u zgjodh deputet, ndërkaq në vitin 2013 u emërua ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit. Nga viti 2014 deri në vitin 2016 sërish ushtroi postin e deputetit në Kuvendin maqedonas, ndërsa më 27 prill 2017 u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo