Lajme

Kujtime nga fëmijëria dhe jeta e Vaçe Zelës, rrëfimi emocionues i mikes së artistes

Ikona e muzikës shqiptare Vaçe Zela padiskutim është një nga emrat që nderojnë muzikën dhe artin shqiptar. Këngëtarja ikonë e skenës shqiptare, zëri befasues i forcës dhe virtuozitetit, mishëruan tek ajo pavdekësinë.

Në një intervstë për “Vizionin e Pasdites” në Vizion Plus, mikja e fëmijërisë së Vaçe Zelës rrëfeu disa “sekrete” nga jeta e artistes. Madje ajo i ka kushtuar edhe një libër ikonës së muzikës shqiptare, të cilin ka zgjedhur ta titullojë “E papërsërithshmja Vaçe”.

Mikesha e Vaçe Zelës, Violeta Kadzadej ndau kujtime nga fëmijëria e tyre. Zonja Violeta tregoi se si është njohur me artisten e madhe qëkur ishin fëmijë. Që nga takimi i tyre i parë, ato u bënë shoqe jete dhe nuk u ndanë.

“Vaçja nuk kishte as radio, as gramafon, por kishte një familje të mrekullueshme që e bëri të afrohej me çdo gjë në vendin tone. Mua më futën në foshnjore (para kopshtit). Nga ana tjetër pashë një fytyrë që e kisha parë në Lushnjë. Edhe ajo më pa dhe që nga ai moment nuk u ndamë kurrë. Në qoftë se flasim për Vaçen gjithë fisi im e ka si të vetën. Kur mbaruam gjimnazin ajo shkoi në Lushnjë, ndërsa unë vazhdova rrugën time në Universitet. Kur vinte ajo në Tiranë, shtëpia ime ishte shtëpia e saj. Kur vinte dhe nuk gjente njeri në shtëpi, e dinte ku ishte çelësi i shtëpisë…Na afroi fëmijëria, mosha, klasa, shoqet rreth e rrotull. Ajo vinte më lehtë në shtëpinë time se ne ishim një familje e vogël. Pastaj aty në Lushnjë ajo filloi të këndojë. Kënga e parë e saj ishte kur flisnim për stinët, këndonim për stinët, flisnim për ngjyrat. Ajo kishte ngjyrën e kuqe, unë kisha të bardhën”, tha zonja Violeta.

Ajo tregoi  edhe kuptimin e emrit të artistes.

“Të gjithë thonë çfarë është ky emër. Vaçe kishte një gjyshe që ne i thërrisnim “nana”. Kemi shumë kujtime nga ajo. Gjyshja kishte një vajzë (halla e Vaçes) dhe ajo e kishte emrin Vaçe. Ia thanë Vaçe sepse halla e Vaçes kishte vdekur shumë e re. Jetën e Vaçes e ndaj në dy kohë, e para është fëmijëria dhe e dyta kur u bë e madhe. Nuk ka njeri pa fëmijëri. Nga ajo Vaçja e vogël që këndonte me shpirt nëpër shkolla, në shtëpi, në dasma, u bë ajo e madhja. Çdo njeri ka gjëra të vështira në jetë. Ajo ishte shumë inteligjente”, tha mikja e fëmijërisë së Vaçe Zelës.

© Video Credits: https://www.youtube.com/@VizionPlusAlbania

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo