Lajme

Izoloi gruan, fëmijët dhe nënën, babai i Jetnorit: Kamerat i vendosën bashkërisht

Jetnor Zhaboli, ekonomisti që mbylli në shtëpi familjen duke i mbikëqyrur me kamera, do të qëndrojë 20 ditë në në burg me afat derisa mjekët dhe ekspertët të përcaktojnë diagnozën se nga çfarë problemesh të shëndetit mendor vuan ai.

Pas dëshmisë së 35-vjeçarit, të nënës dhe gruas së tij, për ngjarjen e rënë ka folur dhe babai i tij.

Babai i Jetnor Zhabolit, Muharrem Zhaboli, ka folur për herë të parë në një intervistë për “Opinion”, ku u shpreh se kamerat u vendosën në mirëkuptim me familjen dhe me gruan.

Por tregon se nuk kishte dijeni për letrat e lamtumirës së nusesë së djalit dhe tentativat e saj për vetëvrasje edhe pse tha se ajo ishtë e rënduar psikologjikisht.

Pjesë nga intervista:

Muharrem Zhaboli: E kanë bërë bashkëbisedë, për ta siguruar shtëpinë se ne ikim andej. Vendosim disa kamera, se po na hapin derën e po na bëjnë ndonjë gjë, për siguri. Edhe vendosëm bashkërisht.

Gazetarja: Pra, ju po thoni që ka qenë edhe bashkëshortja dakord për vendosjen e kamerave?

Muharrem Zhaboli: Shumë dakord ka qenë.

Gazetarja: Po si është e mundur që në polici bashkëshortja, kur është pyetur, ka thënë që “unë kam qenë e izoluar” dhe ka pasur dhe dy letra që ka tentuar të vrasë veten. Si është puna e letrave?

Muharrem Zhaboli: Për letrat e kam pyetur unë, unë nuk di asgjë fare për letrat, por ajo ka qenë e rënduar psikologjikisht. E donte shumë. Edhe ai ishte i ngarkuar psikologjikisht.

Babai i Jetnor Zhabolit gjithashtu tregoi se djali kishte nevojë për një vizitë tek psikiatri, por nuk morën asnjë mjek, pasi nuk donin ta përkeqësonin gjendjen e tij apo ta acaronin më tepër.

Gazetarja: Ju mendoni që ai kishte nevojë për një vizitë psikiatrike?

Muharrem Zhaboli: Unë mendoj që ai kishte nevojë. Të tre ne e mendojmë këtë punë, bashkë edhe me prindërit e asaj, e nuses.

Gazetarja: I kishit konsultuar me krushqit?

Muharrem Zhaboli: Ishim konsultuar.

Gazetarja: Po pse nuk morët asnjë hap për shembull, nuk ju shkoi në mendje që mund të merrnit një mjek, të merrnit policinë, të merrnit ambulancën?

Muharrem Zhaboli: Po s’e bënim dot atë se thamë ne mos ta acaronim më shumë, e bëjmë më keq. Kështu mendojmë ne tani, se nuk e dimë gjë ne. Ka qenë problem i një viti, një vit e gjysmë se ky ka ardhur duke u rënduar.

Gazetarja: Ka ardhur duke u rënduar në këtë një vit?

Muharrem Zhaboli: Po, ka ardhur duke u rënduar. Realisht duke u rënduar, por gjithmonë ne ecnim me atë mendimin që ky do të reflektojë.

Ne foto: Jetnor Zhaboli
Ne foto: Jetnor Zhaboli

Ditën e djeshme, 29 janar Gjykata e Tiranës la në burg me afat 20 ditor Jetnor Zhaboli, i cili mbajti “të burgosur” familjen e tij nën mbikqyrjen e kamerave të sigurisë.

Avokati i tij mbrojtës ka kërkuar shtrimin e tij në spital derisa të përfundojë edhe akt ekspertimi. I arrestuari nga Policia e Tiranës ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, 9 dhe 5 vjeç, ndërsa në shtëpi mbante dhe nënën e tij. Ai dhe bashkëshortja ishin të shkolluar dhe të diplomuar për “Ekonomi” dhe arsyet e izolimit janë të paqart.

Pas një ekspertize mjeko-ligjore u vendos që 35 vjeçari të vizitohet për probleme të shëndetit mendor.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo