Lajme

Mbledhja e parë e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, Xhaferit e hap seancën në shqip

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi hapi sot seancën e qeverisë së sapoformuar kalimtare, duke u uruar suksese të gjithë ministrave të emëruar.

Në fillim të seancës ai u tha ministrave që të mos vendosin kufje për përkthim, sepse fjalimin e hapjes do ta lexojë në të dyja gjuhët. Xhaferi fillimisht foli në shqip, e më pas në maqedonisht.

Hapjen e seancës do ta bëj në fillim në të dyja gjuhët, nuk ka nevojë për kufje, sepse do të them të njëjtën gjë. Ju mirëpres në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në seancën e parë konstituive të qeverisë kalimtare të Maqedonisë së Veriut.

Para se të kalojmë në miratimin e rendit të ditës, të gjithë anëtarëve të qeverisë, në emrin tim, dëshiroj t’ju përgëzoj për zgjedhjen dhe t’ju uroj punë dhe bashkëpunim të suksesshëm. Para nesh është një detyrë kyçe përgatitja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira në një atmosferë demokratike.

Në këtë kemi obligim të bashkëpunojmë me Parlamentin dhe KSHZ-në dhe me misionin e OSBE/ODIHR-it, me BE-në dhe SHBA-në për të siguruar standardet më të larta evropiane në fushatën zgjedhore dhe vetë zgjedhjet në mënyrë që qytetarët mund të shprehin lirisht vullnetin e tyre”, tha ai.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, pranoi dje detyrën si kryeministri i Maqedonisë së Veriut. Deri në formimin e qeverisë së re, ku zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në vend do të mbahet më 8 maj, vendi do të drejtohet nga qeveria teknike me në krye kryeministrin Xhaferi.

Kjo qeveri e përkohshme u zgjodh më 28 janar, me 65 vota pro dhe tre kundër. VMRO-DPMNE-ja ishte në sallë, por abstenoi nga votimi, ashtu si dhe kishin paralajmëruar më herët.

Përbërja e kabinetit: 

Në përbërjen e qeverisë kalimtare, zëvendëskryetar i parë i qeverisë dhe zëvendëskryeministër për Çështje evropiane është Bojan Mariçiq, ndërsa Artan Grubi është ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësivePançe Toshkovski me propozim të VMRO-DPMNE-së është ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa Gjoko Vellkovski për Punë dhe Politikë Sociale.

Në vendet e deritanishme mbeten Krenar Lloga – ministër i Drejtësisë, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë, Lupço Nikollovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonmisë së Ujërave, Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit, Risto Penov – ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bisera Kostadinovska Stojçevska – ministre e Kulturës, Azir Aliu – ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Bllagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova – ministre e Mjedisit dhe Fatmir Bytyqi, ministër pa portofol i ngarkuar për çështjet ekonomike dhe Sllavica Gërkovska, ministre pa portofol përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë.

Kuvendi në mbledhjen e 142-të zgjodhi edhe zëvendësministrat dhe zëvendësministrat plotësues në Qeverinë teknike, mandati i të cilëve do të jetë deri në zgjedhjen e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të caktuara për në 8 maj. Zëvendësministër plotësues i Punëve të Brendshme nga radhët e LSDM-së është zgjedhur Mitko Bojmacaliev, ndërsa zëvendësministre plotësuese në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska.

Zëvendësministër plotësues i Financave nga radhët e VMRO-DPMNE-së është zgjedhur Elena Petrova, zëvendësministër plotësues i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Strefan Andonovski, ndërsa i Bujqësisë, pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo