TIA publikoi treguesit e përceptimit të korrupsionit 2023, ku Shqipëria rezulton të jetë +1 në raport me vitin 2022 ose në nivelet e përafërta të vitit 2017. Rritja minimale gjatë 2023 i dedikohet SPAK dhe hetimeve të ndërmarra për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë, efekti më i rëndësishëm pozitiv i reformës në drejtësi të nisur më 2016. Aspektet që lidhen me politikën dhe vendimmarrjen, qeverisjen dhe llogaridhënien mbeten ende kritike dhe në nivele më të ulta sesa më 2016. Transparency International “përparimi më i madh varet nga forcimi i legjislacionit të drejtësisë penale dhe sigurimi i mbikëqyrjes efektive të pushtetit ekzekutiv” dhe se lidhur me pritshmëritë e mekanizmave efektivë të integritetit “kjo nuk mund të arrihet nëse parlamenti nuk ka autonomi më të fortë dhe organizatat e shoqërisë civile dhe mediat mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës pa pengesa nga autoritetet”.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar standardet e integritetit dhe procesit mbikëqyrës në parlament. Mbi këtë bazë ISP vlerëson se raporti i TIA nuk duhet lexuar apriori nga palët politike nisur nga përfitimi mediatik afatshkurtër, por si mesazh afatgjatë i nevojës jetike që ka vendi për reforma të thella, efektive dhe të qëndrueshme kundër korrupsionit. Sfida e Shqipërisë nuk është “rivaliteti” në TIA me MV, KO, BH apo SRB, por krahasimi me vendet anëtare të BE mesatarja e të cilave është 65 pikë, pra me hendek 28 pikë. Anëtarësimi në BE kërkon nivel demokracie dhe qeverisjeje të të njëjtit standard, – tregues se rruga e Shqipërisë mbetet ende shumë e gjatë dhe se institucionet e aktorët politikë duhet të reflektojnë për ndryshim cilësor të qasjes, angazhimit, prioriteteve dhe vizionit për Shqipërinë që duam.
Tabela e hartuar nga stafi i ISP sipas të dhënave të Transparency International 1999-2023 tregon ecurinë e TPI për Shqipërinë ndër vite.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo