Lajme

25 mijë punonjës të aeroporteve hyjnë në grevë, anulohen 1 mijë fluturime në Gjermani

Gjermania po përballet me një tjetër grevë nga punonjësit e shërbimit publik. Pas grevës së shoferëve të trenave, në grevë janë futur rreth 25 mijë punonjës të sigurisë në 11 aeroportet kryesore gjermane.

Punonjësit janë futur në grevë në orët e para të mëngjesit të sotëm pasi Sindikata Verdi thirri një grevë 24-orëshe, duke kërkuar rritje prej 2,80 €/orë dhe më shumë bonuse jashtë orarit.

Greva filloi në aeroportin e Këlnit/Bonnit në Gjermaninë perëndimore kur stafi i kontrollit të pasagjerëve nuk u paraqit për turnin e natës. Stafi i sigurisë ndaloi punën në Frankfurt, Hamburg, Bremen, Berlin, Leipzig, Düsseldorf, Hanover, Shtutgart, Erfurt dhe Dresden.

Mbi 1,000 fluturime janë anuluar duke prekur mbi 200,000 pasagjerë në 11 aeroportet kryesore në Gjermani.

Sipas punëdhënësve, përmbushja e kërkesave do të nënkuptonte kosto shtesë prej 250 milionë eurosh vetëm për vitin aktual. Më herët Shoqata e Kompanive të Sigurisë së Aviacionit kishte bërë një ofertë për një rritje page prej 4% për këtë vit, ndërsa u shpreh se kërkesa e sindikatës ishte e papërballueshme.

Kontrolli udhëtarëve, mallrave dhe bagazheve do të jetë shumë i kufizuar deri në asnjë, në varësi të pjesëmarrjes së punëtorëve në grevë. Për shembull, të gjitha ngritjet nga aeroportet e Berlinit, Hamburgut dhe Shtutgartit tashmë janë anuluar.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo