Shumë njerëz mendojnë se lajmet e rreme janë të padëmshme, apo që ato shkaktojnë dëme minimale të cilat mund të injorohen, sepse (A) njerëzit që bien pre e tyre “e meritojnë” apo (B) nuk ia vlen të rrezikohet liria e fjalës për të rregulluar tregun e lajmeve.
Së pari, le të trajtojmë pretendimin se ata që besojnë një lajm të rremë meritojnë çfarëdo që marrin si rezultat. Kjo mendësi bazohet në thelb në fajësimin e viktimave dhe nuk ka asnjë bazë në realitet. Të gjithë kanë rënë pre e dezinformatave. Qoftë nga një faqe interneti e mbushur me konspiracione dhe me tonelata flamujsh të kuq, qoftë nga një mit urban i përcjellë tek ne përmes traditës gojore, të gjithë jemi në këtë mënyrë.
Është e kollajtë të thuash se dikush është “budalla” nëse beson diçka të rreme, por vetë ndjenjë e epërsisë është e rreme (dhe mjaft hipokrite). Nëse e bëni, ka të ngjarë që nuk po merrni parasysh një sërë faktorësh, duke përfshirë varfërinë, disponueshmërinë e edukimit dhe ndjeshmërinë ndaj indoktrinimit në atë moment.
Për shembull, merrni parasysh mashtruesit “psikikë” kriminalë, të cilët shpesh u grabisin njerëzve miliona dollarë kur ata janë më të prekshëm, se sa kanë qenë ndonjëherë në jetën e tyre: kur janë të pikëlluar për një njeri të dashur. Ky lloj mashtrimi në të vërtetë nuk është i ndryshëm nga, fjala vjen, një skemë Ponzi. Megjithatë shpesh vëzhguesit mendojnë se viktimat e mashtruesve psikikë e meritojnë, ndërsa investitorët në skemat piramidale (Ponzi) përgjithësisht mendohet se meritojnë t;u kthehen paratë.
Më tej, duhet të flasim për gorillën 800 kilogramësh në dhomë: lirinë e fjalës. Përpara se ta bëjmë këtë, duhet të përcaktojmë lirinë e fjalës dhe të shpjegojmë kufizimet e shumta të saj.
Shumë vende e kanë atë që mund të quhet liri e fjalës në shkallë të ndryshme, teksa disa prej tyre kanë kufizime jashtëzakonisht të rrepta në komunikime të caktuara.
Liri e fjalës
- E drejta e ligjshme për të shprehur lirisht mendimin tënd.
- E drejta e njerëzve për të shprehur mendimin e tyre publikisht pa ndërhyrje nga qeveria, duke zbatuar ligjet kundër shpifjes, nxitjes së dhunës ose rebelimit.
Shembull në fjali: Personi që postoi gjëra që nxisin dhunë në mediat sociale u mbrojt nga prokuroria përmes lirisë së fjalës, por ai nuk ishte i mbrojtur nga pushimi nga puna.
Sipas këtyre përkufizimeve të lirisë së fjalës, mund të shohim se termi nuk përdoret për të garantuar të drejtën për të thënë gjithçka që dëshiron. Ai mbron qytetarët nga ndjekja penale për fjalët që thonë. Të gjithë qytetarët janë gjithësesi subjekt i pasojave të tjera, duke përfshirë presionet sociale dhe të punësimit.
Ata që besojnë në fjalën e lirë të pakufizuar nuk i kuptojnë ose pranojnë kufizimet ekzistuese në të folur, por ato janë aty, për arsyet e duhura. Për shembull, nëse nxitni veprime që do të dëmtonin të tjerët, kjo nuk konsiderohet fjalë e lirë e mbrojtur.
Liria e fjalës gjithashtu nuk zbatohet në platformat private, si faqet e mediave sociale dhe bizneset apo shtëpitë e njerëzve të tjerë. Me fjalë të tjera, nuk mund të thuash thjesht çfarë të duash pa pasoja nga palë private. Mbrojtjet që ofron liria e fjalës zbatohen vetëm për ndërhyrjen e qeverisë, kështu që entitetet e tjera mund të vendosin në thelb çfarëdo kufizimi që të dëshirojnë. Kjo shfaqet më së shumti “kur njerëzit pretendojnë shkelje të fjalës së lirë ndaj faqeve të mediave sociale, kur ato ndalohen ose pezullohen përkohësisht për shkelje të kushteve dhe kritereve të kompanisë”.
Si dikush që është përjashtuar nga mediat sociale dhjetëra herë për shkelje të kushteve, duke përfshirë raste kur nuk kam bërë asgjë që edhe mund t’i afrohej një shkeljeje, mund t’ju siguroj se ky nuk është një problem me fjalën tonë të lirë. Për shembull, një herë mora një kërcënim me vdekje, që e raportova në platformën përkatëse të mediave sociale. U informova se sulmi, në të cilin një person tha se do të më priste kokën dhe përfshinte një fotografi nga një kërkim që tregon adresën e shtëpisë sime, ku jetojmë unë dhe familja ime, nuk kishte shkelur politikat e shpallura të kompanisë.
Vendosa ta postoja publikisht kërcënimin, së bashku me rrëfimin tim të raportimit të tij, pa asnjë sukses, dhe u ndalova nga platforma për tridhjetë ditë.
Sërish, kjo nuk është një çështje që ka të bëjë me lirinë e fjalës në Shtetet e Bashkuara. Ju mund të argumentoni se ka një problem me kompanitë e mediave sociale dhe procesin e tyre për raportim dhe zbatim, por është e pamundur ta bësh këtë një çështje kushtetuese. E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë të tjerët që janë të ndaluar ose të pezulluar nga mediat sociale.
Megjithëse mund të mos pajtohem me çdo përjashtim nga sistemi i fjalës së lirë, mendoj se është e nevojshme të ketë përjashtime. Dhe mendoj se shumica e njerëzve racionalë, nëse do të ballafaqoheshin me provat, do ta pranonin këtë fakt.
Pra, duke pasur parasysh përkufizimin e fjalës së lirë, është plotësisht e mundur të luftojmë lajmet e rreme përmes zbatimit të ligjeve aktuale së bashku me bashkëpunimin e rëndësishëm shoqëror dhe individual për këtë çështje. Është gjithashtu e mundur që qeveria të ndërhyjë për të ndaluar lajmet e rreme nëse ato arrijnë një nivel të nxitjes së dhunës.
Më tej shtrohet pyetja: ku e vendosim kufirin midis fjalës së lirë dhe lajmeve të rreme që rrezikojnë jetë?
Lajmet e rreme fatale
Nëse mendoni se lajmet e rreme kanë të bëjnë vetëm me klikimet dhe se nuk mund të shkaktojnë dëme të vërteta, merrni parasysh historinë e Ricardo Flores, një të riu që studionte për t’u bërë avokat dhe për të fituar para për familjen. Ai ndodhej në qytetin Acatlán në Puebla, Meksikë, ku po vizitonte familjen, kur ai dhe xhaxhai i tij u vunë përpara nga një turmë, u rrahën dhe atyre iu vu zjarri. E gjithë kjo ndodhi për shkak të një thashethemi që u përhap përmes ËhatsApp, një shërbim mesazhesh në pronësi të Facebook, pa ndonjë motiv të dukshëm monetar. Ricardo dhe xhaxhai i tij u vranë brutalisht bazuar në pretendimet e rreme, që i lidhnin me një histori tjetër të paverifikuar, e cila përfshinte rrëmbimin e fëmijëve dhe marrjen e organeve. Me fjalë të tjera, lajmet e rreme vranë këta dy burra të pafajshëm. Kjo nuk është vdekja e parë e lidhur me turmat në zonë, por çështja mund të përkeqësohet falë problemit të lajmeve të rreme, sipas Los Angeles Times:
Episodi barbar – që të kujton vrasjet e turmave në Indi të nxitura nga mesazhet virale – ilustron se si në një epokë të përdorimit në rritje të telefonave inteligjentë, thashethemet e qarkulluara në mediat sociale dhe “platformat e mesazheve si ËhatsApp mund të gjenerojnë histeri dhe drejtësi vigjilentësh.
Sulmet e turmave nuk janë gjë e re në Meksikë, ku krimi i shfrenuar, policia joefektive dhe ndjenja e përhapur se shkelësit e ligjit mbeten të pandëshkuar nxitin zemërimin e qytetarëve. Videot me celular të banorëve të qyteteve, duke goditur të dyshuarit në qoshe, të akuzuar për grabitje dhe keqbërje të tjera janë të zakonshme në lajmet televizive.
….
Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë frikë se mashtrimet e përhapura në Facebook, ËhatsApp dhe platforma të tjera mund të përkeqësojnë këtë trend.
Vrasja prej turmës për shkak të një lajmi të rremë mund të duket si një incident i izoluar, i cili nuk kërkon investigim të mëtejshëm, por është fakt se ajo është pjesë e një tendence më të gjerë. Gjëra të tilla ndodhin rregullisht në Indi, dhe ËhatsApp e gjen veten shpesh në titujt e lajmeve.
Për shembull, në vitin 2018, pesë persona u vranë nga një turmë të cilët kishin lexuar në sistemin e mesazheve se në qarkullim kishte një bandë rrëmbyesish. Ashtu si dhe në Meksikë, disa versione të thashethemit përfshinin edhe trafikun e organeve.
Po kështu, mes banorëve të Hong Kongut dhe protestave të tyre kundër Kinës, u panë shembuj të ngjashëm të dezinformimit, i cili motivonte dhunën dhe vinte në rrezik jetë njerëzish. Thashethemet dhe lajmet e rreme mbushën të dy palët, duke çuar në vrasjen e një personi në nëntor 2019. Siç raportonte Bloomberg News:
Teksa protestat antiqeveritare në Hong Kong hyjnë në javën e tyre të 23-të, në qytet kanë vërshuar thashethemet online, lajmet e rreme dhe propaganda nga të dyja palët e skakierës politike. Retorika polarizuese është duke nxitur mosbesim dhe dhunë, duke e bërë më të vështirë zgjidhjen e krizës që e ka zhytur Hong Kongun në recesion, dhe ka ngritur dyshime mbi rolin e qytetit si nyja kryesore financiare e Azisë.
“Informacionet e rreme vetëushqehen për të polarizuar opinionin publik”, thotë Masato Kajimoto, asistent profesor në Qendrën e Gazetarisë dhe Studimeve të Medias në Universitetin e Hong Kongut. “Kam frikë se do mbërrijë një pikë ku nuk do të ketë më ribashkim”.
Një shembull tjetër i goditjes nga keqinformimi nuk rezultoi në ndonjë vdekje, por përfshiu shkrepjen e një pushke në publik dhe gjërat mund të kishin qenë shumë më keq nëse situata do të kishte qenë ndryshe. Bëhet fjalë për teorinë famëkeqe të konspiracionit të Pizzagate që u përhap si flakë në qarqet e ekstremit të djathtë. Nëse nuk keni dëgjuar për të më parë, lajmi i rremë u vërtit rreth pretendimit se ekzistonte një rrjet pedofilësh që drejtohej nga politikanë të lartë demokratë si Hillary Clinton, duke përdorur një piceri në Uashington, DC si maskim. Një burrë, njëzet e tetë vjeçari Edgar M. Ëelch, lexoi informacionin e rremë në internet dhe udhëtoi me makinë gjashtë orë për ta parë vetë. Në fund, ai qëlloi me pushkën e tij AR-15, por askush nuk u lëndua dhe Edgar u arrestua në vend.
Dezinformimi mjekësor
Në fushën mjekësore, problemi i lajmeve të rreme vret rregullisht njerëz. Në fakt, “dezinformimi mjekësor prej kohësh ka pasoja negative në shëndetin global”. Dhe për t’iu kundërvënë nevojitet një reagim i përgjithshëm prej profesionistëve të shëndetit, institucioneve dhe padyshim, Revistave Mjekësore.
Ndërkohë që keqinformimi mjekësor nuk është aspak diçka e re, bota online e lehtëson shumë marketimin drejt e tek konsumatori, nëpërmjet kinse ekspertëve, njerëzve të famshëm që kanë shumë ndjekësa, si dhe mashtruesve të pavarur, mes tyre jo pak mjekë me profesion.
Edhe pse shëndeti është një çështje me rëndësi themelore, informacioni mbi të online është i mbushur dhe i dominuar prej lajmeve të rreme, të përsëritura prej sharlatanëve dhe budallenjve. Ilustrimi më elokuent i këtij problemi u pa sidomos gjatë periudhës së Covid-19, kur edhe vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë ofroi termin Infodemi.
Ekspertët thonë se pasojat janë tronditëse – po vihet re, sipas tyre, një rikthim i sëmundjeve dikur të vëna përfund, si fruthi, shkaktuar prej propagandës kundër vaksinave. Po kështu, njerëz me sëmundje kronike janë duke u mashtruar prej lloj-lloj mashtrimesh të rrezikshme prej pseudoshkencës, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz me sëmundje të rënda si kanceri. Këta pacientë zakonisht e shtyjnë në kohë ose e refuzojnë trajtimin deri kur është shumë vonë për ta.
Dhe problemi është që, në fund fare, ata që dëmtohen më shumë prej gënjeshtrave dhe lajmeve të rreme janë njerëzit më të dobët. Nëse një person relativisht i shëndetshëm me një sëmundje të lehtë bie pre i këtij gabimi, zakonisht ai nuk rrezikon jetën. Por, nëse një person me sëmundje të rëndë bie në grepin e sharlatanëve, pasojat mund të jenë tragjike. (TruthHub – Bota.al)
Burimet: Der Spiegel, Washington Post, CNN