Lajme

“Statistikat kundër jush”, hakerat pretendojnë se kanë vjedhur të dhënat e Censit

Hakerat iranianë “Home Land Justice” pretendojnë se kanë hakuar edhe databazën e të dhënave nga censi.

Ditën e djeshme hakerat njoftuan se kishin  vënë në shënjestër sistemet e INSTAT. Ata njoftuan se kishin  mundur që të hakonin faqen e webit të Institutit Shqiptar të Statistikave, duke nxjerrë kështu dhe disa prej emrave të punonjësve të INSTAT, e-mailet, numrat e tyre të telefonit, madje dhe adresat e banesave.

Ndërkaq sot nëpërmet një  tjetër mesazhi në Telegram, hakerat thonë se kanë akses në më shumë se 100 Tera Byte të dhëna nga INSTAT, ndërsa theksojnë se të dhënat e shqiptarëve janë kopjuar dhe hequr nga serverat. Në përfundim të mesazhit hakerat thonë: “Të gjitha statistikat janë kundër jush”.

“ INSTAT është sekreti më i madh i së vërtetës. Tani kemi akses të plotë në mbi 100 Terabajt të të dhënave tuaja GIS dhe regjistrimit. Të dhënat janë kopjuar gjithashtu dhe hequr nga serverët. Do ta kthejmë Drejtësinë në atdheun tonë. Të gjitha statistikat janë kundër jush!”, thuhet në reagimin e grupit të hakerave, bërë në rrjetin social Telegram.

Kujtojmë se INSTAT në një deklaratë të dhënë për mediat dje tha se hakerat iranianë nuk kanë arritur të marrin të dhënat nga Censi, duke garantuar qytetarët se të dhënat e tyre ishin të sigurta.

Por pretendimi i hakerave sot që kanë akses në të dhënat e Censit ngre shqetësime serioze për sigurinë e të dhënave të shqiptarëve.

Në deklaratën e djeshme INSTAT bëri me dije se kishte ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe kishte aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo