LifeStyle

Infarkti i miokardit po prek edhe të rinjtë në Shqipëri, mjekët tregojnë arsyet

Infarkti i miokardit ka ardhur në rritje tek të rinjtë në Shqipëri. Sipas mjekëve, ka një shtim të incidencës tek grupmosha 40 vjeç, por nuk mungojnë edhe rastet tek më të rinjtë.

“Ankesat kardiake për hir të së vërtetës vitet e fundit kanë ardhur në rritje në popullsi dhe ajo që vëmë re më së fundmi sidomos 2-3 vitet e fundit, shikojmë që moshat e reja kanë një simptomatologji të shtuar sidomos për shqetësimet e zemrës. Infarkti i miokardit, nëse vite më parë në moshat rreth të 40-ve ishte një ngjarje shumë e rrallë, kemi një shtim të incidencës së kësaj ngjarje akute kardiake në popullsinë e re rreth të 40-ve. Kemi raste edhe nën 40 vjeç”, thotë kardiologia Manjola Lika.

Bluzat e bardha rendisin një sërë faktorësh që kanë ndikuar në rritjen e ngjarjeve akute kardiake, duke përfshirë edhe komplikacionet që vetë Covid shkaktoi në disa pacientë.

“Shpesh herë individët të cilët zhvillojnë një ngjarje akute kardiake janë individë të cilët në përditshmërinë  e tyre janë shumë të ngarkuar dhe që kanë neglizhuar faktorët e rrezikut kardiak siç janë vlerat e larta të presionit arterial, monitorimi i diabetit, yndyrnave në gjak dhe shpesh herë janë individë që janë abuzues të alkoolit, të substancave narkotike, çdo dite kemi dy ratse të reja”.

Edhe raportet e ISHP tregojnë se sëmundjet e zemrës, shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri, janë rritur me 30 % vitet e fundit, krahasuar me vitin 2010. Në Shqipëri rezultojnë rreth mbi 88 mijë persona me sëmundje të zemrës, e prej tyre 37 mijë kanë sëmundje ishemike të zemrës.

Ndërsa në total në grupin e sëmundjeve të tjera të qarkullimit të gjakut janë mbi 290 mijë persona.

Tv Klan