Drejtuesi i një prej organizatave mafioze më të dhunshme të Italisë, i cili u arratis nga një burg i sigurisë maksimale vitin e kaluar, është kapur në Francë. Marco Raduano, i përshkruar si “i rrezikshëm” në listën e kriminelëve më të kërkuar të Evropës, u arrestua në ishullin francez të Korsikës.
Ai ishte arratisur nga një burg i sigurisë së lartë në Nuoro, Sardenja, në shkurt 2023, duke përdorur çarçafë për të zbritur nga muret.
Autoritetet në Itali njoftuan gjithashtu të premten ndalimin e ndihmësit të tij të ngushtë, Gianluigi Troiano, një tjetër i arratisur që ishte kapur pranë Granadës në Spanjën jugore.
“Kapja nga karabinierët (policia) jashtë vendit të dy të arratisurve të rrezikshëm, Marco Raduano dhe krahut të tij të djathtë Gianluigi Troiano, përfaqëson një tjetër goditje të madhe ndaj krimit të organizuar”, tha ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi.
Raduano, 40 vjeç, u burgos pasi ishte bosi i klanit rural Gargano që vepronte brenda një sindikate të re dhe pak të njohur të krimit të organizuar në Foggia, në rajonin jugor italian të Pulias, i njohur si Mafia e Katërt.
Europol tha se ai ishte “në krye” të organizatës së tij kriminale, “me rolin e promotorit, organizatorit dhe vrasësit të pamëshirshëm të grupit të dedikuar për kryerjen e vrasjeve, trafikut të drogës dhe menaxhimit të raketës së zhvatjes”.
Një burim i afërt me çështjen në Korsikë i tha AFP se Marco Raduano u arrestua të enjten në mbrëmje në Aleria, teksa po darkonte në një restorant me një grua të re. Ai jetonte atje me letra false, duke përdorur një automjet të vjedhur të regjistruar në mënyrë të rreme.
Arratisja e Raduanos ishte jashtëzakonisht e turpshme për autoritetet italiane dhe nxorri në pah fuqinë e mafies së katërt, që sot konsiderohet sindikata më e dhunshme e krimit të organizuar në Itali.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo