Lajme

Dua të jemi bashkë në këtë 100 vjetor, Sulejman Pitarka…

Nga Përparim Kabo

Jeta ka një fillim dhe një fund, është një udhëtim me të gjitha stinët dhe përjetimet, ka ngjarje dhe episode, ka rënie dhe ngritje, ka gëzime dhe brenga, ka beteja të fituara, por ka dhe humbje, ka kontribute, mirënjohje, siç ka dhe heshtje, mosvlerësime dhe zhgënjime. Të gjitha këto e bënë jetën tënde të jetuar. A është arti dhe artisti i njëjtë?A vlerësohen paralelisht në kohë? Apo vlerësohet arti dhe artisti harrohet jashtë artit të tij?!

Ai mbetet në një heshtje dhe vetëmbyllje qe e dërmon. Nuk ka art pa një artist dhe nuk ka artist pa art. Të dy janë thelbësorë dhe asnjëri nuk mund të ekzistojë pa tjetrin. Megjithatë, kur bëhet fjalë për shitjet apo tregues të tjerë, që vlerësojnë artin, veprat e mrekullueshme artistike, të krijuara nga artistë shumë të mirë dhe shumë origjinalë, mund të ligështohen lehtësisht, ndonjëherë për një kohë të gjatë sepse ata harrohen. Historikisht shumë artistë e kanë takuar suksesin dhe madhështinë, pasi kanë ikur nga kjo jetë. Arti pas artistit nuk mund të trajtohet si një entitet orfan, si një vepër që e ka dhe e do publiku, dhe kaq!

Nëse sot do të kujtojmë 100- vjetorin e artistit të madh, Sulejman Pitarka, ( ai lindi më 2 shkurt 1924) duhet që të sjellim në një ‘ekran’ të madh të vetëdijes dhe mirënjohjes të dy: artistin dhe artin e tij. Në pjesën më të madhe të botës sot, një artist konsiderohet të jetë një person me talent dhe aftësi, për të konceptuar dhe bërë vepra krijuese. Persona të tillë veçohen dhe vlerësohen për idetë e tyre artistike dhe origjinale.

Sjell në mendje shtëpinë modeste në fund të rrugës së Durrësit dhe atë takim tonin në vitin 2004. Mbushnit 80 vjeç dhe…, mes mallëngjimit, zbrazjes së jetës nga largimi për në Amerikë të dy djemve, cicërrima e bukur e Merit, bashkëshortes suaj, bashkohej me zërin tend dhe krijohej një këngë zogjsh në kafaz. Më tej u binde të ktheheshe dhe një herë në skenë me veprën “ Pjata prej druri”. Ishte tejet e vështirë të ndaje jetën reale me atë skenike, artin skenik me dhimbjen njerëzore. Fliste shpirti drejtpërsëdrejti.

Tek e more atë valixhe në duar, u the të gjithëve: “ Mos hajdeni më atje…!” Vetmia, një ndjenjë dhe gjendje tejet e vështirë. Edhe Migjeni ynë i ndritur e prek në një krijim të tijin, kur godet me grusht tavolinën dhe dollapin, e i thotë me zë të lartë:” Fol! Fol!” Dua të jemi bashkë në 100- vjetorin tend, Sulejman Pitarka…

Kur artistët e mëdhenj kujtohen edhe pas një shekulli, kjo tregon se arti i tyre ka qenë një investim universal, ka brenda vlera që nuk humbasin, trajtojnë çështje dhe histori që nuk do t’i harrosh, dhe mbi të gjitha, ato janë brenda teje dhe është rasti sublim që të udhëtosh në një pelegrinazh të brendshëm, udhëhequr nga një dëshirë që të ushqen mirësinë dhe të bukurën, ëndërrimin dhe shpresën. Modulimi i jetës sipas artit , ka si arkitekt dhe mentor artistin në art dhe në jetë. Edhe një shikim me të apo një bisedë spontane, edhe një fotografi apo takim i rastësishëm, lë gjurmë në jetën tënde dhe ti thua me vetveten:” Kam një model! Jam bashkëkohës me të!” Çfarë e bën artist të madh Sulejman Pitarkën? Po, mund të thuhet: janë rolet në dramë, në komedi, në tragjedi, në kinema, filmat e shumtë dhe figurat që ka ndërtuar.

Ka një gamë të gjerë rolesh dhe arritjesh. Arti i tij i begatë na shoqëroi në dekada, veçse ky kumtim është një lloj inventari publicistik. Në artin e aktrimit duhet të gjurmosh në thellësi. “Artistët e mirë e kthejnë punën në diçka të bukur. Ata e përdorin atë për të ushqyer krijimtarinë dhe për të bërë punën e tyre të rezonojë me të tjerët. Çdokush mund të jetë një artist, por një artist të madh e dallojmë nga mënyra se si puna e tij i bën të tjerët të ndihen… Ata kënaqen me njerëz, pamje, tekste dhe tinguj interesantë e të pazakontë, preferojnë të punojnë në situata të pastrukturuara e të përdorin kreativitetin dhe imagjinatën e tyre.” Këto janë pak a shumë mendimet që jepen nga kritika e specializuar për një artist të madh. Bie në sy aftësia për të komunikuar dhe për të ndikuar te të tjerët, duke lënë atje gjurmë ndjeshmërie dhe krijimin e një klime bashkëpunimi organik. Një artist i madh, me artin e tij të interpretimit, ku spikat kreativiteti, edhe një situat apo ngjarje jo plotësisht të strukturuara nga dramaturgu në teatër apo skenaristi në kinematografi, ai e shpie në kufijtë e duhur të identitetit të nevojshëm, që lidhet me tipin dhe tipologjinë, me natyrën e karakterit, duke e zbukuruar atë dhe vizaton tiparet antropo- psikologjike me gjuhën e estetikës së lojës.

Sulejman Pitarka i kishte këto aftësi, duke shtuar dhe një aftësi të jashtëzakonshme, të folurin në dialekte dhe nëndialekte, krahas shqipes standarde të kulluar. Ai fliste si durrsak( atje u rrit), si dibran( nga kishte origjinë), si kosovar dhe si çam, dy pjesë të trupit të atdheut , që iu shkëputën dhunshëm , më 1913- n.

Tek drama historike” Epoka para gjyqit”, e dramaturgut dhe regjisorit të shquar, Ekrem Kryeziu, e vënë në skenën e Teatrit Kombëtar, në vitin 1978, Sulejman Pitarka luan rolin e Sulejman Vokshit dhe përbri tij, Kadri Roshi luan rolin e Abdyl Frashërit. Gjuha skenike e Pitarkës është e një dialekti të bukur gurgullues dhe plot ngjyrim emocional të Kosovës. Situatat e gjyqit janë nga skenat më të arrira të lojës teatrore në historinë e teatrit shqiptar.

Thellimi në dialog, theksimi i replikës, qetësia përballë pushtetit dhe mungesa e frikës ndaj vdekjes. Le të shkojmë tani në një skaj tjetër , te dialekti aq i bukur dhe origjinal i shqipes në trevën e Çamërisë. Të kujtojmë rolin e Çelo kasapit në filmin” Nxënësit e klasës sime”, me skenar të Kiço Blushit dhe regji të Saimir Kumbaros. Rol episodik, por aq bukur i konceptuar dhe interpretuar prej tij në atë zhargon tipik të një profesioni të tillë dhe gjuha dialektore.

Te filmi “ Horizonte të hapura”, burokrati Sokrat ka një të folur tipik të një natyre të tillë, te filmi “ Ballë për ballë”, në rolin e ushtarakut sovjetik, Zheleznov, një figurë e përkryer dhe një e folur që të bind se ky është ushtarak karriere, intonimi i zërit dhe thekset logjike. Te filmi” Gjeneral gramafoni”, përsëri rol episodik, një burrë plak, Avdi Mamani, që ironizon me gdhendjet në dru pushtimin e atdheut nga të dërguarit  e fashizmit para 7 prillit të 1939-s, ka një komunikim nga treva e Kuçovës.

Edhe në një film jo shumë të njohur, me titull “Streha e re”, me ngjarje në zonat e thella të Korçës, një burrë i zakoneve, që nuk pranon martesë me dashuri dhe vendos ta japë vajzën me mblesëri në një fshat tjetër…E folura e tij i përshtatet trevës. Edhe kur luan rolin e një diplomati, ai flet si diplomat, kur luan rolin e një furxhiu, flet si furxhi apo  , kur luan rolin e një gjenerali, ai flet si gjeneral.

Arti skenik dhe ai filmik, në një farë kuptimi është komunikim dhe komunikimi, sado i kursyer që të jetë, e do fjalën, fjalinë, muzikalitetin, ndjeshmërinë, emocionin, thekset logjike dhe ato emocionale, ritmin sipas ngarkesës së ndjeshmërisë, kulturën e dialogut, monologun e hapur dhe atë të brendshëm, heshtjen që duket sikur flet. Të gjitha këto forma dhe elemente të komunikimit shoqërohen me pamjen, veprimin, bashkëveprimin, lëvizjen dhe ngurtësimin, lojën individual dhe atë në grup.Nëse një artist luan dhe në teatër , dhe në film, si mundet të përshtatet, pra , a ka ndonjë dallim në këto dy linja qasjesh?

“Në të vërtetë nuk ka asnjë ndryshim nga ana teknike; aktrimi për ekran përdor të njëjtën teknikë, në varësi të pamjes: nga afër , pamje e gjerë, etj. Çdo aktor ka procesin e tij individual se si i qaset punës , bazuar në trajnimin dhe përvojën e mëparshme. Pasi të keni punuar mjaftueshëm profesionalisht, ju keni zhvilluar metodën tuaj se si të performoni.” Kështu shprehet Ëilliam Joseph Hill, aktor, shkrimtar, artist martial, koreograf shumë i njohur.

Sulejman Pitarka është i shquar, si në skenë, dhe në ekran, ka përvojën dhe shkollën e tij të aktrimit. Kjo u duk qartazi te filmi i regjisores franceze me origjinë shqiptare, Liri Begeja, me titull “ Larg barbarëve”, një film ky i vlerësuar nga kritika europiane, produksion i përbashkët Francë- Itali- Belgjikë, i vitit 1994, në të cilin luan aktorja franceze , Dominique Blanc, në rolin e heroinës së filmit, Ronald Gutman, si dhe aktorë shqiptarë në role kryesore: Timo Flloko dhe Sulejman Pitarka.Asokohe thuhej për Pitarkën tonë: Jean Gabin shqiptari. Sot Sula është 100 vjeç, 83 vite në jetë dhe 17 në qiell. Por role ka më shumë.

Janë 70 në teatër dhe mbi 40 në kinematografi. Të gjithë të arrirë dhe të përsosur shumë syresh. Duket sikur artin e tij skenik e bekuan tre gjigandë: Gogoli, me rolin e Shcepkininit te “ Revizori”, vënë në skenë në vitin e largët 1952; Molieri,  me rolin e profesorit te “ Borgjezi fisnik”, vënë në skenë në vitin 1962, ku ra në sy sensi i hollë i humorit dhe ku Sula me aq mjeshtëri e vizatoi personazhin, duke mpleksur cilësitë komike të personazhit me diturinë, retorikën dhe fjalomaninë spekulative, ku e vërteta dhe gënjeshtra i linin vendin njëra- tjetrës. Dhe Breht, me dramën e tij “Arturo Ui”, vënë në skenë në vitin 1971, ku Sulejman Pitarka luajti rolin e aktorit dhe përdori me mprehtësi e finesë elementet e groteskut, duke krijuar me “ këshillat e tij” një asosacion dhe kontrapunkt domethënës , me veprimet e pritshme e gjakatare të Arturos, që vijnë fill më pas. Diktatorët dhe veprat e tyre gjakatare kuptohen më së pari nga artistët. Pitarka hipi në skenë edhe kur ishte 81 vjeç dhe tronditi.

Ato dërrasa, pothuaj të vjetëruara të skenës, e mbajtën…, dhe ai i mbajti spektatorët në frymëpezull dhe në ankth, duke i lëshuar në fund në duartrokitje frenetike.

A mund të themi me pak fjalë përmbledhëse çfare është arti i Sulejman Pitarkës? Po, sigurisht! Ishte dhe mbetet vërtetësi njerëzore, komunikim i natyrshëm, përjetime që të trondisin, zë që të ngroh, ndjenja që të përfshijnë, emocione që flasin dhe pa fjalë, vizatim me ngjyrime antropologjike të personazheve. Sulejman Pitarka të trondiste! Një artist që luan edhe në moshë të thellë, ndihmon shoqërinë që, përmes artit, të stimulojë mendjet, trupat, shpirtrat dhe imagjinatat e njerëzve. Të faleminderit, Sulejman Pitarka! Falë artit tënd dhe gjeneratës sate, ne u bëmë më të mirë, u bëmë më qytetarë!

Çfare i bën artistët të mëdhenj? Të jesh një artist i suksesshëm kërkon përkushtim, elasticitet dhe gatishmëri për të mësuar dhe evoluar vazhdimisht. Madhështia nuk ka të bëjë vetëm me talentin, ka të bëjë gjithëpoaq me përmirësimin e aftësive tuaja, kërkimin e komenteve dhe reflektimin ndaj tyre, si dhe me zgjerimin e kufijve të krijimtarisë suaj. Pitarka ynë ishte i tillë, një shkollë e aktrimit, që zhvillohej pa u ndalur dhe si e tillë ,është me dyer të hapura  për atë që do të mësojë dhe e kupton mirë se prej kujt është më e mira të mësojë!

Përparim Kabo, 2 shkurt, 2024

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo