Ish-hotel Dajti, ndërtesa më e bukur në ballkan në vitet ’40, vepër e arkitektit italian që u mor me gjithë bulevardin e Tiranës Gherard Bossios, ka hequr gjithë veshjet që e kishin mbuluar gjatë restaurimit dhe ka dalë në dritë.
Bossio e bëri këtë vepër në vitet ’30 dhe nuk jetoi aq gjatë ta shihte të përfunduar. Ndërsa pas një kalvari të gjatë vuajtjesh, lënieje në harresë edhe të godinës, kjo e fundit u ble në 17 maj 2010 nga Banka e Shqipërisë në vlerën e 30 milionë eurove në atë kohë.
Banka e Shqipërisë në faqen zyrtare të saj për këtë blerje shkruan: “Në mbledhjen e tij të datës 16.06.2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi vendimin “Për miratimin e procedurës “Prokurim i drejtpërdrejtë””, për blerjen e pronës së paluajtshme shtetërore ‘Ish Hotel Dajti’ nga Banka e Shqipërisë, me fond limit 4.148.400.000 (katër miliard e njëqind e dyzetetetë milionë e katërqind mijë) lekë”.
Arkitekt Artan Shkreli duke botuar një foto të ish-hotel Dajtit, që tani do të jetë Banka e Shqipërisë shkruan “Idiotësia e një manovre financiare”.
Kaq ka mjaftuar që rrjeti të gjallojë nga komentet për dukjen e hotel “Dajtit”. Që ka ndryshuar funksionin nga Hotel në Bankë, por që sipas arkitektëve, gjithë kjo sa duket është e shëmtuar. Komentuesit thonë se “shyqyr që u ruajt si godinë”, dhe nuk kishte fatin e “Teatrit Kombëtar”, por ruajtja e këtillë, nuk ka vlerë.
Një ndër ndërhyrjet më interesante në debat është ajo e arkitektit Gjerak Karaiskaj. Profesori hedh disa teza që e rindezin debatin.
Shkruan Gjerak Karaiskaj
Të gjitha komentet janë pas pilafit. Hotel “Dajti” nuk egziston më si monument. Pamja e jashtme është ajo që ka më pak vlerë në këtë monument. Atë që nuk e bënë dot komunistët origjinalë kur ishin në pushtet, sepse e ndjenin veten të ndrojtur, inferiore dhe me komplekse para një arkitekture të këtij niveli botëror, e bënë post komunistët demokratë. Vlera më e madhe arkitektonike e këtij objekti, qëndronte tek interieri. Holli, kafja, taverna, veranda në pjesën e pasme, salla kryesore etj, si dhe proporcionet dhe planvendosja e këtyre ambienteve në funksion të objektit si hotel. Aq i përsosur ka qenë interieri i këtij hoteli sa që për arredimin e tij u ngarkua arreduesi më i mirë i Italisë së asaj kohe. Jo vetëm në kohën kur u ndërtua, por edhe sot ai mund të ishte një nga hotelet më terheqse në rajon. Se cilësia nuk varet nga madhësia dhe as nga lajle-lulet. Po të paktën n’a ngushëllon fakti se do të kthehet në zyra për militantë.
Prishja filloi nga taverna. Vendosën që hotelin ta shesin me pjesë si Ceken. Tavernën ia dhanë një fshatari ta menaxhonte me kërkesat moderne të kohës. Punën e parë që bëri hoqi pasqyrat, garderobën dhe “budallalleqet” e tjera të italianëve, prishi ambientet ndihmëse dhe shkallët që të çonin lart tek kafja, duke i dhënë frymë lokalit dhe duke e përshtatur me ekonominë e tregut. Pastaj i dha një suvatim e një bojatisje që kishe qef të rrije.
Hoteli pati edhe nje fazë të dytë vlerësimi. Ky ishte një lloj pastrim-restaurimi. Me këtë rast dyert dhe mobiljet që u vlerësuan si të vjetra, përfunduan në Bathore. Por prapë dyshohej se nuk kishte vdekur. Duhej dhe një goditje në kokë siç bënin prokurorët dikur.Tani na e mori të keqen.
Ilir Agolli, që ka shërbyer për shumë vite tek Albturizmi, një institucion i vendosur në këtë godinë të dikurshme, pa u blerë nga Banka e Shqipërisë, ndërhyn në debat dhe thotë se ka pasur një plan për ta ruajtur këtë godinë, por që nuk u pëlqye dhe nuk u mor në konsideratë nga qeveria.
Shkruan Ilir Agolli
Per shume vite kam punuar tek Albturizmi. Gjate viteve 1999 – 2006 kam qene Drejtor i Albturizmit. Gjatë kohës që kam qenë Drejtor, Drejtoria e Investimeve pranë Komitetit të Zhvillimit të Turizmit përgatiti një projekt për ristrukturimin e Hotel Dajtit.
Kosto e projektit ishte afro 7 milionë dollarë. Në ato vite Drejtoria e Pritjes shpenzonte rreth 11 milionë euro për pritjet & përcjelljet e qeverisë.
Me sa di unë, Komiteti i Zhvillimit të Turizmit i propozoi qeverisë që të mbulonte koston e ristrukturimit (7 milion $). Dhe pas ristrukturimit qeveria të organizonte të gjitha pritjet në H. Dajti. Personalisht, mendoj se ishte ide gjeniale për të ruajtur këtë hotel të ndërtuar nga italianët, si monument kulture.
Debati vazhdon
Hoteli u mbyll në vitin 2007 me justifikimin se do të kthehej në Ministrinë e Jashtme (mbyllja e degradoi komplet hotelin). Pas mbylljes u zhdukën/ avulluan të gjitha pajisjet, mobiljet antike të kohës se Italisë dhe me vonë “Ju shit” Bankës së Shtetit….
Një ndër gjërat e bukura të Hotel Dajtit kanë qenë Pishat përballë tij. Ato u mbollën pak muaj pas çlirimit në ’44, me fidanë të vegjël, sipas një plani të studiuar mirë nga pikëpamja e simetrisë dhe agroteknikës. Puna e gjithë kushtoi 6000 franga në atë kohë. Pishat sot janë prerë, nuk ekzistojnë më.
Ndërkohë Hotel Dajti i përfshirë në ansamblin Monument Kulture, ruante statusin e kategorisë së dytë. Që do të thotë se fasada duhej ruajtur. Por brenda, janë bërë ndërhyrje deri në batërdi sipas pikëpamjes së arkitektëve, ndërkohë që gjithë objektet që kanë qenë italiane, janë zhdukur.
© Newsbomb.al
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo