Lajme

Kush është Blerim Hoxha, pronari në hije i 40% te inceneratori i Tiranës?!

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj zbuloi në një intervistë nga arratia dy ditë më parë, se 40% të aksioneve të inceneratorit të Tiranës zotërohen nga shtetasi shqiptar me pasaportë të Kosovës, Blerim Hoxha. Gjatë bisedës me gazetarin, Ahmetaj ju referuar si “Besim Hoxha”, por në fakt bëhet fjalë për Blerim Hoxhën.

“Unë kam besimin të konsoliduar se Mirel Mërtiri nuk është më pronari. Ja kanë marrë, e kanë syrgjynosur për t’ia marrë. Po i pyes gazetarët që rrinë të SPAK, pse një biznesmen shqiptaro-zviceran ka 40% të inceneratorit të Tiranës. Besim Hoxha, i ka me letra. Çfarë ka bërë kjo kompani, si i ka marrë dhe si i ka paguar, çfarë lidhjesh ka qeveritarë dhe biznesi në Shqipëri”, u shpreh ai.

Por kush është në të vërtetë Blerim Hoxha, pronari në hije i aksioneve të inceneratorit?!

Të dhënat e databazës së platformës “Open Data Albania”, e drejtuar nga një profesioniste si Aranita Brahaj nxjerr të gjitha pasaportat e bizneseve ku ky shtetas ka lënë gjurmë si administrator, anëtar bordi dhe në disa raste dhe aksioner.

Së pari, Blerim Hoxha figuron themelues i kompanisë “Tosk Energji” (Ish Petrol – Oil – Ballkan), të cilën e ka shitur më pas në vitin 2016 te kompania zvicerane “CFD Conseils Sarl”, kundrejt çmimit 3.500.000 (tre milion e pesëqind mijë) lekë. Pavarësisht se e shiti kompaninë që themeloi vetë, Blerim Hoxha qëndroi administrator i saj deri në vitin 2022.

Kjo kompani ka marrë në menaxhim Rafinerinë e Përpunimit të Naftës në Ballsh, e quajtur KPTHN Ballsh, derisa ajo shkoi në faliment. Në vend që të rimëkëmbëte rafinerinë, “Tosk Energji” (Ish Petrol – Oil – Ballkan) shfrytëzoi për disa muaj rezervat e saj dhe për të shmangur detyrimet, deklaroi faliment.

Janë qindra naftëtarë të Ballshit të cilët as sot e kësaj dite nuk kanë marrë më shumë se 10 paga të prapambetura secili, të cilat i kanë fituar dhe me Gjykatë.

Së dyti, Blerim Hoxha rezulton se ka mbajtur për një periudhë të shkurtër katër mujore dhe detyrën e administratorit të kompanisë “Byllis Energji” SHA. Lidhja është e njëjtë, edhe kjo kompani figuron e përfshirë në rastin e falimentimit të Rafinerisë së Ballshit dhe Hoxha është zotuar në media se do paguante detyrimet e prapambetura, raporton Newsbomb.al.

Administratore e “Byllis Energji” SHA figuronte shtetësja Marigona Metaj, e cila u zëvendësua për katër muaj nga Blerim Hoxha, për ta marrë sërish më vonë detyrën e administratorit.

Në Shkurt 2020, ai fajësoi kompaninë “Bankers Petroleum” se nuk kishte shlyer detyrimet ndaj kompanive “Tosk Energji” dhe “Byllis Energji”, ndaj dhe ata s’kishin mundësi të paguanin naftëtarët. Në atë kohë, naftëtarët e Uzinës së Ballshit nisën një grevë disa javore dhe Blerim Hoxha u zotua se do paguante tre paga.

Baza e dy kompanive të mësipërme, që nga themelimi ose kompanitë e tjera që kanë blerë aksionet, rezultojnë në Zvicër.

Së treti, Blerim Hoxha del se është ndër anëtarët e parë të Këshillit të Administrimit të Shoqërisë “ICARE Energji”, e cila ka si origjinë të kapitalit shtetin e Zvicrës. Kompania është themeluar në vitin 2022 dhe ka të njëjtën adresë në Zvicër si dy kompanitë e mësipërme.

Tre anëtarët e parë të Bordit të Këshillit të Administrimit të saj, sipas të dhënave të deklaruara në Aktin e Themelimit, janë shtetasit:

  1. Joel Jacques Jean CHEVALLAZ, shtetas zvicerian, lindur me 16.07.1969 ne Montherod VD Zvicer, mbajtes i pasaportes me nr X4454659;
  2. Blerim Hoxha, shtetas Kosovare, I lindur ne Suhareke, Kosove me 12.04.1983, mbajtes I pasaportes me nr.P00682170; dhe
  3. Max Abitbol shtetas Francez, lindur me 19.05.1950, ne Casablanca, France, mbajtes i pasaportes nr . 14FV06095.

Kompania në fjalë rezulton në pronësi të “ICARE Holding SA”, në vlerën e 1005 të aksioneve. Ndërsa administratore, edhe aktualisht figuron shtetësja Marigona Metaj, e njëjta që ka qenë administratore në kompaninë “Byllis Energji”, ku ka bërë rotacion posti me Blerim Hoxhën.

Së katërti, kompania zviceriane, zotëruese aktuale e shoqërisë “Tosk Energji”, “CFD Conseils Sarl” ka si përfaqësues Christope Darbord, i cili ka qenë administrator në shoqërinë ARMO. Kjo e fundit, është kompania të cuilën e bleu Rezart Taçi dhe që shfrytëzoi për vite me radhë KPTHN e Ballshit.

|© Newsbomb.al|

 

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo