Jemi zyrtarisht në sezon virusesh prandaj me cilindo takoheni sigurohuni të mbani “distancën e sigurisë”. Ndoshta është e pamundur “t’i shpëtojmë” virozave të stinës, por të paktën bëni përpjekjet tuaja.
Ku fshihen viruset
Gjatë periudhës së virozave, viruset mund të gjenden kudo. Në një zyrë gati çdo gjë mund të jetë e infektuar, nga telefonat deri tek dorezat e dyerve. Vetëm rruga nga shtëpia në punë dhe anasjelltas mund të jetë një fushë e minuar me mikrobe. Doreza dyersh, butona ashensorësh, hekura autobuzash, etj. Këtu madje rreziku është më i madh sepse numri i personave që i prekin këto objekte shumëfishohet. Po ashtu edhe mikrobet.
Siç e dimë, ndërveprimet sociale janë gjithashtu një rrezik. Shtrëngimet e duarve, përqafimet, puthjet i afrojnë njerëzit dhe kjo sjell edhe ndarjen e viruseve së bashku me përshëndetjet.
Së fundi, kini kujdes nga palestra. Ekspozimi ndaj gripit është më i lartë në ambjentet e palestrave, tek pajisjet e ushtrimit, dhomat e zhveshjes, sauna, pishina etj.
Mënyra për të parandaluar gripin
Fatmirësisht mund të praktikoni disa veprime për të parandaluar gripin. Fillimisht, mbani një higjenë të mirë. Lani duart, përdorni disinfektant nëse keni, dhe sigurohuni se i keni duart e lara përpara se të hani. Gjithashtu mundohuni të mos fërkoni sytë dhe të mos i fusni duart në gojë.
-Mbani distancë nga ata që janë të sëmurë.
Kur dikush duket qartësisht se është i sëmurë, përpiquni që të qëndroni sa më shumë larg tyre kur tështijnë ose kolliten. Gjithashtu mundohuni të shmangni turmat e mëdha për të ulur ekspozimin ndaj mikrobeve.
-Jini të kujdesshëm në palestër.
Mundohuni të fshini me disinfektues duarsh pajisjet me të cilat do të stërviteni. Dhe mos harroni t’i lani duart përpara se të prekni fytyrën.
-Bëni një vaksinë kundër gripit.
Kjo është mjaft e rëndësishme. Vaksina ju mbron juve, po ashtu dhe ata pranë jush, sidomos ata më delikatë si bebet, të moshuarit ose ata që kanë probleme me sistemin imunitar.
-Qëndroni në shtëpi kur jeni sëmurë
Të gjithë duam që miqtë dhe kolegët të qëndrojnë në shtëpi kur janë të sëmurë. Kjo vlen edhe për ne vetë kur jemi të sëmurë. Në qoftë se qëndrojmë në shtëpi, jo vetëm nuk infektojmë të tjerët, por shërohemi edhe më shpejt.