Lajme

Opozita gati për protestë, efektivët e policisë dhe RENEA-s “blindojnë” Parlamentin

Teksa na ndan vetëm një orë nga protesta e opozitës para Parlementit, rreth 400 punonjës të policisë së shtetit dhe të RENEA-s janë vendosur sot në gatishmëri për mbarëvajtjen e protestës.

Burime për mediat bëjnë me dije se në perimetrin e Parlamentit janë vendosur kamera me rezolucion të lartë, për të identifikuar çdo lëvizje nga ana e protestuesve. Në pjesën e pasme të Parlamentit janë vendosur gjithashtu autobotë me ujë.

Protesta e cila pritet të nisë sot rreth orës 17:00 u paralajmërua javën e kaluar nga deputetët mbështetës të grupimit Berisha-Bardhi.

Protesta do të jetë vijimi i aksionit opozitar, pasi opozitës nuk i janë plotësuar kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore dhe ndryshimi i anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Më herët ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që të dalin në protestë ditën e hënë. Një thirrje të veçantë lideri i Partisë Demokratike e kishte dhe për socialistët, të cilët i ftoi t’i bashkohen protestës këtë të hënë.

Ky apel i ish-kryeministrit për socialistët erdhi pas deklaratave të bëra nga ish numri dy i qeverisë së Edi Ramës, Arben Ahmetaj, ku zbuloi se kryeministri e kishte kërcënuar me jetë.

Protesta e sotme do të zhvillohet njëkohësisht me seancën plenare që pritet të nisë gjithashtu në orën 17:00.
Burime për mediat bëjnë me dije se njëjtë si dhe seancat e kaluara plenare deputetët e opozitës do të ndjekin të njëjtin skenar, nuk do të lejojnë zhvillimin sormal të seancës.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo