Lajme

I dënuar në Itali për prostitucion, prangoset elbasanlliu me tre emra

Artur Llupa alias Robert Cani alias Luan Tabaku është arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të kontrolleve që kanë nisur prej ditësh në gjithë vendin për operacionin policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Referuar njoftimit zyrtar, 56 vjeçari me banim në Elbasan rezulton se është dënuar me 4 vjet burgim për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

“Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kapën dhe vunë në pranga shtetasin: 

  1. Artur Llupa alias Robert Cani alias Luan Tabaku, 56 vjeç, banues në Elbasan.  

Autoritetet gjyqësore shqiptare kanë njohur vendimin e autoriteteve gjyqësore italiane, për dënimin e këtij shtetasi, me 4 vjet burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Nga ky dënim, 56-vjeçarit i kanë mbetur për të kryer në vendin tonë, 2 vjet burgim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo