Para dy ditësh mediat raportuan për grupin e aktorëve të cilët u tha se u ndaluan mbi 10 orë nga policia kufitare Morinë pasi dyshohej se ishin trafikantë tritoli.
Sipas dëshmive vetëm kur po mbaheshin në oborrin e stacionit policor të Kukës, vetë artistët mësuan se njëri prej tyre ishte i dyshuar si pjesëtar i një grupi trafikant armësh.
Pas dy ditë shfaqje në “Teatro di Rifredi”, në Firence, ekipi kosovar i shfaqjes “The Handke Project” mori rrugën për tu kthyer në shtëpi.
Ata nga Bolonja me avion ateruan në “Rinas” në Tiranë nga ku morën automjetin për të shkuar në Kosovë. Rreth mesnatës, në “Rrugën e Kombit”, saktësisht tek trau i pagesës për autostradën, ekipi i përbërë prej Jeton Nezirajt, Verona Koxhës dhe Flaka Rrustemit u ndalua nga policia shqiptare.
Pas kontrollimit të dokumenteve, ata u njoftuan se njëri pjesëtar i ekipit është i dyshuar për diçka dhe se do shoqëroheshin për në stacionin e Kukësit.
“Vazhdum në komisariatin e Kukësit me idenë që 10 minuta-15 minuta deklaratë duhet të japim, dhe pastaj do të iknim për në Prishtinë, edhe pse ora ishte rreth 01:00 i natës.” – tha Jeton Neziraj.
Ekipi i artistëve për tre orë qëndruan në Kukës e u ballafaquan me një sjellë ofenduese e arrogante nga ana e zyrtarëve policor. Pas kësaj, të njëjtët janë përcjellë për në Tiranë, ku trajtimi ndaj tyre ishte i dhunshëm.
Pas dhjetë orësh mbajtje dhe pa e ditur se për çka ishin të shoqëruar, pa dhënë asnjë deklaratë u mor vesh se Flaka Rrustemi që kërkonin policia shqiptare nuk ishte ajo që kishin kapur.
Gjatë kësaj të mërkure, dramaturgu në një intervistë për Top Channel thotë se ekipit i është kërkuar falje nga instancat më të larta të policisë, por shpreh edhe indinjatën që ka me drejtorin e Policisë së Tiranës.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet lidhur me ndalimin e një grupi artistësh nga Kosova që u ndaluan nga Policia e Shtetit si të dyshuar për “trafikim të tritolit”.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo