ShowBizzz

“Ishte pak e sikletshme”, Rovena Dilo flet për puthjen pasionante me aktorin e njohur

Në emisionin “Rudina” ishte e ftuar Rovena Dilo, e cila së fundi ka sprovuar veten edhe në aktrim.

“Tryeza e zezë”, është filmi më i ri në kinema (prej 17 janarit), ku Rovena Dilon e shohim si aktore, madje ka shkëmbyer edhe një puthje të realizuar në film. Për këtë pjesë artistja ka folur në studio, e cila u shpreh se ishte një moment i sikletshëm, pasi përballë kishte një mik dhe një aktor që e njihte.

“Nuk ishte moment kaq i lehtë, është pak siklet. Jo për faktin e publikut, që do ta shohë një ditë, por për faktin e ambientit të atij momenti. Për momentin është pak e sikletshme sepse sigurisht ti ke përballë një mik, një aktor që e njeh, por që ti sigurisht as nuk je mësuar ta puthësh, as nuk ke pasur ndonjëherë ndërmend ta puthësh. Dhe të detyron ky moment i filmit, pra skenari, të detyron vetë aktrimi që ti ta realizosh sa më mirë. Dhe normal, nuk ishte e lehtë në fillim.

Madje Dionisi tha: “Rovi, leje fare, s’bëhet ashtu”, edhe filluan të gjithë të qeshnin. Pastaj, kameramani, kur fillova të isha pak më e nxehur në rol, më e përgatitur, sigurisht që puthja erdhi më normal. Puthja në vetvete nuk është puthje kur je në një skenë xhirimi. Ne shpeshherë, ngaqë shohim shumë filma të gjithë bashkë, çuditemi sesi ndodhin, por nuk është ashtu. Pra, ti nuk e ke mendjen tek puthja. Akti i puthjes është sublim kur bëhet në privatësi, midis dy njerëzve që vërtet duhen, që vërtet janë partnerë, që vërtet e dëshirojnë këtë gjë. Kurse kur bëhet midis dy aktorëve, që duhet të realizojnë një moment të filmit, nuk është e njëjta gjë”.