Personi që shihni në foto është Selman Mihana, ekonomisti 70 vjeçar që u vra me armë zjarri mëngjesin e sotëm në firmën e inerteve në fshatin Gurëz të Kurbinit.
70-vjeçari u qëllua për vdekje rreth orës 07:00 teksa ndodhej në ambientet e firmës.
Nga të shtënat i plagosur mbeti pronari i firmës, Ardian Gjeloshi 51 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, për fat të mirë jashtë rrezikut për jetën.
Në fakt objektiv i autorëve të cilët janë në arrati, sipas policisë ka qenë pronari i firmës dhe jo ekonomisti fatkeq.
Sakaq sipas burimeve për mediat dyshohet se gjatë të shtënave 70-vjeçari ka dalë para plumbave për të mbrojtur pronarin e tij Ardian Gjeloshi, dhe për pasojë është qëlluar dhe ka ndërruar jetë.
Zv/drejtori për hetimin e krimeve në Policinë e Lezhës, Gentian Berberi foli më herët për mediat lidhur me vrasjen që ndodhi mëngjesin e sotëm në firmën e inerteve në fshatin Gurëz të Kurbinit.
Gentian Berberi tha se objektiv i autorëve të krimit ka qenë pronari i firmës, Ardian Gjeloshi që mbeti i plagosur dhe jo ekonomisti që u vra.
Ai tha se ka dyshime se është qëlluar me armë zjarri automatik. Sipas tij, pistat kryesore, të cilat po hetohen janë konfliktet dhe mosmarrëveshjet që mund të ketë pasur pronari i firmës së inerteve. Më tej Berberi tha se Gjeloshi ndodhet në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut për jetën.
“Dyshohet që është qëlluar me automatik. Ka të dhëna të lëvizjes së autorëve me një mjet. Po hetojmë konfliktet, mosmarrëveshjet që ka personi i cili është tentuar të vritet. Objektiv i atentatit është personi i cili ka mbetur i plagosur. Fatmirësisht është në gjendje të mirë, ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, u shpreh Gentian Berberi.
Lidhur me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale RENEA.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo