Lajme

Plan për atentat ndaj Kurtit? Reagon zyrtari i ministrisë maqedonase

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka reaguar lidhur me informacionet për kërcënimin me jetë ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

Zëdhënësi i ministrisë, Toni Angellovski, në një prononcim të shkurtër për mediat mohoi këto zëra duke thënë se nuk ka pasur asnjë tentativë për atentat ndaj Kurtit dhe siguria ka qenë maksimale.

“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për atentat ndaj tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, tha Angellovski.

Një atentat i planifikuar ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ngriti në këmbë autoritetet kosovare dhe maqedonase të inteligjencës. Kjo, për shkak se gjatë vizitës së mbrëmshme të Kurtit në Shkup është marrë informacion në rruge operative për atentat nga struktura serbe.

Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, thanë për Radio Televizionin e Kosovës, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.

Kryeministri i Kosovës mbrëmë ka arritur në Shkup, kurse paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

Albin Kurti duke komentuar planin për atentat ndaj tij, ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve. Kryeministri ka theksuar se ka mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar.

“Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, është shprehur Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo