Ushtria izraelite njoftoi në orët e para të mëngjesit sot se ka liruar dy pengje gjatë një bastisjeje të forcave speciale në Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës. Sipas ushtrisë izraelite dy burrat që u liruan (Fernando Simon Marman dhe Louis Har) janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Dy pengje izraelitë u shpëtuan gjatë një misioni gjatë natës në Rafah. Gjatë një operacioni të përbashkët midis IDF, ISA dhe policisë izraelite. Dy pengjet Fernando Simon Marman 60 vjeç dhe Louis Har 70 vjeç janë të dy në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme mjekësore në Izrael”, thanë zyrtarët izraelitë.
Njoftimi për lirimin e pengjeve pasoi sulme të rënda ajrore në Rafah që vranë më shumë se 50 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit, shkruan BBC.
Sakaq ka raporte kontradiktore për numrin e viktimave: agjencia e lajmeve AFP tha se 52 palestinezë, duke përfshirë fëmijë u vranë, duke cituar ministrinë e shëndetësisë së Gazës të drejtuar nga Hamasi. Ndërkohë, Reuters raporton se numri i të vdekurve është 37, duke cituar gjithashtu zyrtarë shëndetësorë të Gazës.
Të dielën, ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se 112 palestinezë të tjerë ishin vrarë nga ushtria izraelite një ditë më parë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në më shumë se 28,100 dhe më shumë se 67,500 të plagosur.
Ushtria izraelite nisi operacionet ushtarake në Rripin e Gazës pasi më shumë se 1200 njerëz u vranë në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 nga persona të armatosur të Hamasit, të cilët gjithashtu morën peng rreth 240 njerëz. Një numër i atyre pengjeve u liruan më vonë.
Sulmi izraelit i raportuar i shpëtimit të së hënës në Rafah erdhi menjëherë pasi dëshmitarët në qytet folën për dhjetëra sulme ajrore izraelite gjatë natës në veri dhe në qendër të qytetit.
Një numër vendesh dhe organizatash ndërkombëtare kanë paralajmëruar Izraelin kundër kryerjes së ofensivës së planifikuar në qytet, ku rreth 1.5 milionë njerëz janë strehuar. Shumica e tyre janë larguar nga pjesa tjetër e Gazës.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo