Lajme

Arigona Zogaj: Dikur e kërcënuar me dëbim, tani ka pasaportë austriake

Rasti i saj ishte bërë “temë nacionale” në Austri, kur në vitin 2007 ishte fshehur për t`i ikur dëbimit në Kosovë, ku ishte dëbuar familja e saj

E hënë, 12 Shkurt 2024 – 17:30albinfo.chKeystone
Kur vajza, asokohe 15-vjeçe, Arigona Zogaj, do të dëbohej në vitin 2007 nga Austria, rasti i saj pati ndezur një debat të zjarrtë për sistemin e azilit. 32-vjeçarja me origjinë nga Kosova ka marrë tashmë nënshtetësinë austriake, transmeton albinfo.at.

Në Austri kishte një emocion të madh kur familja Zogaj do të deportohej në Kosovë në shtator të vitit 2007. Vajza, Arigona, qe fshehur për 15 ditë – ajo kishte gjetur mbështetje nga pastori Josef Friedl, i cili mbështeti familjen në luftën e tyre për t’u lejuar të qëndrojë në Austri. Ajo madje pati kërcënuar me vetëvrasje, nëse familja e saj deportohej.

Mijëra njerëz të tjerë kishin demonstruar në atë kohë për të kundërshtuar dëbimin e saj. Komuniteti i Frankenburgut, ku jetonte familja, dhe shokët e shkollës të fëmijëve të familjes Zogaj gjithashtu ishin ngritur në mbrojtje të tyre. Por më kot – në vitin 2010 Zogajt duhej të largoheshin nga Austria, shkruan kronnenzeitung.at. “Unë duhet të veproj sipas ligjit, pavarësisht syve të dhembshur që më shikojnë nga televizori”, kishte shpjeguar në atë kohë ministrja e Brendshme, Maria Fekter.

Arigona, nëna e saj dhe dy nga vëllezërit e motrat e saj, më në fund u lejuan të ktheheshin disa muaj më vonë me viza studentore dhe një leje të përkohshme pune, transmeton albinfo.at. Në vitin 2012 ajo priti babain e saj dhe dy vëllezërit e saj më të mëdhenj, të cilët kishin jetuar për një kohë të gjatë në Kosovë dhe u kthyen në vend duke përdorur kartonin e kuq-bardhë-kuq.

Që atëherë, Arigona Zogaj nuk është shfaqur më në publik. Pas përfundimit të HBLA në Linz, ajo filloi të studionte të drejtën e biznesit. Ajo e ka kryer këtë trajnim me diplomë bachelor dhe tani punon në lëmin e sigurimeve, siç raporton “Salzburger Nachrichten”. Një mik i familjes ka shpjeguar për gazetën se 32-vjeçarja ka prej tashmë gjashtë muajsh nënshtetësinë austriake.