Lajme

Në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Endri Mustafës, arrestohet në Turqi Ibrahim Lici

Ibrahim Lici person në kërkim ndërkombëtar i akuzuar për vrasjen e Endri Mustafës është arrestuar në Turqi. Endri Mustafa u vra me një plumb në gojë  më 17 maj 2021 në Shkodër.

Lici akuzohet për veprat penale “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.

Prej muajit Maj 2021, Lici rezulton të jetë shpallur në kërkim nga policia, si i autor i dyshuar i vrasjes së Mustafës, ngjarje kjo e ndodhur në zonën “Livadhe” në Shkodër.

Akuzat ndaj tij u ngritën pas dëshmisë së 15 vjeçarit, Ergys Malja. Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”. Sipas 15-vjeçarit, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë.

Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës së mitur, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie. Lici nga arratia  ka mohuar të gjitha akuzat, madje ai ka  pretenduar e ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë në shoqërinë e shokëve dhe një vajze.

Ibrahim Lici ka qenë një nga 5 personat më të kërkuar nga policia në Shqipëri.

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo