Lajme

Arrestimi i Ibrahim Licit në Turqi, Policia e Shtetit informacion zyrtar

Policia e Shtetit ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar lidhur me arrestimin e shumëkërkuarit të drejtësisë, Ibrahim Lici.

Blutë bëjnë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Jehona”, i cili u finalizua falë bashkëpunimit të ngushtë të Policisë së Shtetit me autoritetet policore turke u bë i mundur arrestimit i 51-vjeçarit, Ibrahim Lici i cili akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës më 17 maj të 2021 në Shkodër.

Policia e Shkodrës, si rezultat i punës së pandërprerë për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, siguruan informacione se Lici fshihej në Turqi. Më tej, struktura të specializuara të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Interpol Tirana) e kanë shkëmbyer menjëherë këtë informacion dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e këtij shtetasi. Policia e Turqisë ka vënë në pranga Licin me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Lici akuzohet për veprat penale “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.

Prej muajit Maj 2021, Lici rezulton të jetë shpallur në kërkim nga policia, si i autor i dyshuar i vrasjes së Mustafës, ngjarje kjo e ndodhur në zonën “Livadhe” në Shkodër.

Akuzat ndaj tij u ngritën pas dëshmisë së 15 vjeçarit, Ergys Malja. Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”. Sipas 15-vjeçarit, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë.

Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës së mitur, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie. Lici nga arratia  ka mohuar të gjitha akuzat, madje ai ka  pretenduar e ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë në shoqërinë e shokëve dhe një vajze. Ibrahim Lici ka qenë një nga 5 personat më të kërkuar nga policia në Shqipëri.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Si rezultat i inteligjencës policore të siguruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe nga struktura të tjera të specializuara të Policisë së Shtetit, si dhe i shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore turke, finalizohet operacioni policor i koduar “Jehona”.

Operacioni, nga Policia e Turqisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në drejtimin e SPAK.

Kapet në Turqi dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin, një 51-vjeçar i shumëkërkuar për vrasje.

Strukturat vendore të Policisë Shkodër, si rezultat i punës së pandërprerë për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se shtetasi i shumëkërkuar I. L. fshihej në Turqi. Më tej, struktura të specializuara të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Interpol Tirana) e kanë shkëmbyer menjëherë këtë informacion dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e këtij shtetasi.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale, ndjekjes dhe koordinimit të veprimeve, Policia turke ka finalizuar operacionin policor të koduar “Jehona”, gjatë të cilit është kapur dhe vënë në pranga shtetasi i shumëkërkuar I. L., 51 vjeç.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin E. M.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për ekstradimin e të shumëkërkuarit, drejt Shqipërisë.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo