Një ngjarje e trishtë shokoi botën mesditën e kësaj të premte ku lajmi për vdekjen e kritikut më të madh të presidentit rus, Vladimir Putin, Alexei Navalny, u nda nga jeta në mënyrë të papritur. Sipas asaj që mediat ruse transmetuan, lideri historik i opozitës ruse, Navalny, u ndje keq pas një shëtitje në burgun brenda Rrethit Arktik dhe më pas vdiq.
“Më 16 shkurt 2024, në koloninë korrektuese nr 3, i dënuari AA Navalny nuk u ndje mirë pas një shëtitjeje, dhe pothuajse menjëherë humbur vetëdijen”, thuhet në njoftim, duke theksuar se pavarësisht që ekipet mjekësore mbërritën me urgjencë për t’i ardhur në ndihmë Navalnyt, ishte tepër vonë pasi ai kishte vdekur.
Alexei Navalny u nda nga jeta vetëm një muaj larg nga zgjedhjet që pritet të mbahen në Rusi. Ndonëse prej kohësh ndodhej në qeli, duke vuajtur ndëshkimin politik që Vladimir Putin i ngarkoi mbi supe, Navalny nuk u tërhoq asnjëherë.
Jo më larg se disa ditë më parë, ai u bëri thirrje rusëve që ditët e zgjedhjeve, 15, 16, 17 Mars, të protestojnë kundër presidentit Putin. Lideri i opozitës u shpreh qartë se bojkoti i zgjedhjeve nuk është mënyra më efikase, pasi Kremlini do të manipulojë gjithsesi zgjedhje, duke përdorur një sistem votimi elekstronik, mirëpo pavarësisht ata duhet të kontribuojnë duke votuar kundër dhe të dalin në sheshet dhe rrugët e Rusisë për të protestuar dhe për të rrëzuar nga “froni” i cili mban prej 24 vitesh Vladimir Putinin.
“Ky mund të jetë një demonstrim i fuqishëm i gjendjes shpirtërore të vendit,” shkroi Navalny në kanalin e tij Telegram, të kontrolluar nga ekipi i tij.
Protestat e mëdha janë të rralla në Rusi për shkak të rrezikut të arrestimit, veçanërisht që nga fillimi i luftës me Ukrainën. Mirëpo, Navalny siguroi rusët se atë ditë do të jetë e pamundur që të veçojnë kush është “pro” dhe kush është “ kundër” Putinit nga fluksi i lartë i qytetarëve që do të marrin pjesë.
“Në orën 12 të mesditës tashmë ka një pjesëmarrje të lartë, ka shumë njerëz dhe është thjesht e pamundur të veçohen ata që votojnë ‘kundër’”, tha ai ditë më parë.
Nga ana tjetër, të pa trembur mbështetësit dhe kampi i Navalnyt prej ditësh kanë nisur fushatën e tij duke u kërkuar rusëve të votojnë kundër presidentit aktual.
“Ne nuk kemi kandidatin tonë. Ne kishim një kandidat, Navalny, dhe ata refuzuan ta regjistronin, u përpoqën ta vrisnin dhe ta fusnin në burg. Tani ne kemi, si të thuash, një kandidat kolektiv “kundër Putinit”, tha Lyubov Sobol, një bashkëpunëtor i ngushtë i Navalny, i cili gjithashtu është në një listë zyrtare të “terroristëve dhe ekstremistëve” dhe tani ndodhet jashtë Rusisë.
Me duart e tij në të gjitha levat e pushtetit në Rusi, Vladimir Putin nuk mund të mposhtet në zgjedhjet presidenciale, theksuan mbështetësit e Navalny, por e shohin fushatën 100-ditore si një shans për ta ekspozuar presidentin rus si të pambrojtur për çështjet që kanë më shumë rëndësi për rusët: lufta në Ukrainë dhe gjendja e ekonomisë.
Putin deklaroi kandidaturën e tij për një mandat tjetër gjashtëvjeçar dhe nuk ka asnjë rival serioz për ta sfiduar atë, me Navalny i cili fatkeqësisht ndërroi jetë, dhe kritikët e tjerë të cilët ose janë të burgosur ose në mëgrim.
Autoritetet ruse kanë parë gjithmonë Navalnyn dhe mbështetësit e tij si ekstremistë të cilët kanë lidhje me agjencitë e inteligjencës perëndimore që synojnë të destabilizojnë Rusinë. Putin ka paralajmëruar Perëndimin se çdo ndërhyrje brenda Rusisë do të konsiderohet një akt agresioni. Opozita po kërkon vullnetarë nga qindra mijëra njerëz që kanë ikur nga Rusia që nga fillimi i luftës dhe u kërkon atyre që të thërrasin votuesit.
Në faqen e tij të internetit (NotPutin).org, ekipi i Navalny u ka bërë thirrje gjithashtu vullnetarëve që të përhapin video dhe mesazhe të fushatës në internet, dhe të ngjitin fletëpalosje në të gjitha muret dhe dyert e vendit.
“Detyra e Putinit është të sigurojë që këto zgjedhje të shkojnë sa më mirë dhe me qetësi, por detyra jonë është e kundërta,” tha një nga pjesëtarët e ekipit të Navalnyt.
Kush është Alexei Navalny?
I lindur në një fshat në perëndim të Moskës, Alexei Navalny u bë kritiku më i madh i kohës së Putinit në pushtet.
Aktivizmi i tij politik, duke përfshirë hetime të gjera për korrupsionin e nivelit të lartë dhe kandidimin për të qenë kryebashkiak i Moskës, i dha atij famë dhe shumë besonin se ai përbënte një kërcënim për Putin.
Ishte në gusht të vitit 2020 kur lufta e tij kundër presidentit rus u bë titujt kryesorë botërorë. Ai u sëmur rëndë gjatë një fluturimi nga Siberia për në Moskë dhe Navalny u dërgua në koma për në Berlin. Ekipi i tij akuzoi Kremlinin për helmimin, një akuzë që Kremlini e mohoi.
Mjekët gjermanë konfirmuan se ai ishte helmuar me novichok, një agjent nervor i kohës sovjetike, dhe shërimi i tij zgjati muaj.
Pavarësisht rrezikut, Navalny zgjodhi të kthehej në Rusi, ku më vonë u arrestua, u dënua me akuza që ai shprehej se ishin të motivuara politikisht dhe mbeti në burgjet ruse deri në vdekjen e tij të raportuar sot.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo