Lajme

Komandanti i KFOR në Kosovë: Jemi të përgatitur ndaj çdo lloj situate në veri

Komandanti i trupave paqeruajtëse amerikane në Kosovë në një deklaratë të bërë ka ripërsëritur se forcat e vendit të tij janë të pajisura dhe të gatshme për të parandaluar çdo dhunë në veriun e Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje dhe jemi të përgatitur mirë, të trajnuar mirë dhe të pajisur për të reaguar ndaj çdo gjëje që mund të ndodhë këtu. Unë jam i sigurt për këtë”,-  thotë Koloneli Ross Walker, Komandant i trupave amerikane në Kosovë.

NATO ka përforcuar praninë e saj në Kosovë me 1,000 trupa të tjerë pas dhunës që shpërtheu shtatorin e kaluar, gjatë së cilës një polic u vra në një shkëmbim zjarri midis policisë së Kosovës dhe personave të armatosur që hynë nga Serbia.

Disa nga ushtarët amerikanë janë të vendosur në kampin ‘Nothing Hill’ afër qytetit të Leposaviqit, në veri të Kosovës dhe patrullojnë rrugët që lidhin Kosovën me Serbinë.

Ushtarët amerikanë parkojnë kamionët e tyre të bardhë, që nuk janë të blinduar, afër kufirit me Serbinë dhe më pas ecin pranë hekurave metalike që deri vonë mbanin tabela që sinjalizonin vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se çelësi për këtë është dialogu paqësor. Edhe pse jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje, dëshira jonë është që t’i bëjmë gjithmonë gjërat përmes një dialogu kundër çdo lloj dhune”, – thotë Koloneli amerikan, Ross Walker.

Diplomatët amerikanë kanë paralajmëruar se marrëdhëniet SHBA-Kosovë janë krisur pas vendimit për ndalimin e dinarit serb, dhe se nga kjo situatë mund të ketë dhe tensionet në veri të Kosovës.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo