Nga Nada Biraçi
Në një kohë kur marrëdhëniet e dashurisë zgjasin më pak se një serial në Netflix, një histori si e tyrja që i ka kaluar dy dekadat, vetiu zgjon kureshtje. Xhoi dhe Gent Bejko është çifti, rrëfimin e të cilëve “Bordo” e sjell me shumë dëshirë në këtë numër të muajit shkurt, që përkon me ditën e të dashuruarve. Ata të dy më nuk janë romantikët tipikë të klasikëve të letërsisë, ama gjatë këtij rrëfimi Xhoi më tha shprehjen më romantike, që mund të kem dëgjuar së fundmi; “Gjatë stuhive të jetës, ne të dy kemi kërcyer Tango, pa ja lëshuar dorën njëri-tjetrit”.
Xhoi dhe Gent Bejko, një histori dashurie që i kalon dy dekada… Cilat janë fjalët e para që të vijnë në mendje, kur mendon për këtë rrugëtim fluturash në stomak?
Pas 20 vitesh martesë, fluturat e fillimeve marrin një formë tjetër, shndërrohen në një krijesë më jetëgjatë.
Sot prindër të dy fëmijëve adoleshentë; ju flisni atyre për historinë tuaj të dashurisë?
Sa herë pyesin, i tregojmë dhe kujtojmë momente të ndryshme të jetës sonë. Por ndonjëherë ndërsa tregojmë, edhe e “shfrenojmë” fantazinë me humor. Të dy fëmijët, por sidomos djali, që është më i vogël, ka kuriozitet sa herë shikon ndonjë video apo albumet me foto.
Gjithmonë e më shumë po jetojmë në kohë kur historitë e dashurisë zgjasin pak, e çiftit tuaj me siguri i kanë kërkuar receta… Si i përgjigjeni?
Receta nuk ka, por mendoj që këmbëngulja, mosheqja dorë kur një situatë sfiduese del përpara, janë dy prej elementeve kyçe. Fatkeqësisht, sot njerëzit në shumicën e rasteve heqin dorë, që në vështirësitë e para të një marrëdhënie. Nuk po flas për marrëdhëniet abuzive. Pa dashur të paragjykoj, apo aq më tepër gjykoj askënd, ne njerëzit jemi individë të ndryshëm, me botë dhe karaktere të ndryshme e si rrjedhojë, edhe bëjmë kompromise në forma të ndryshme. Në fund të ditës, një kompromis që mund ta bëj unë, dikush tjetër nuk mundet. Edhe e anasjellta. Gjithçka duhet të vijë natyrshëm. Në të kundërt mund të shndërrohet në ‘boomerang’. Prandaj them që marrëdhëniet në çift, nuk kanë receta dhe nuk mund të krahasohen.
Stuhitë? Duhet të keni patur dhe ju… Por duam të dimë, si i keni përballuar?
Nëse një ‘stuhi’ vjen, nuk duhet të dorëzohesh, por në shumicën e rasteve ndodh që gjithmonë njëri bëhet pak më i fortë se tjetri. E në ‘stuhinë’ e radhës ndërrohen rolet. Në thelb edhe në stuhi, të duhet të kërcesh Tango dhe siç është edhe ajo shprehja: Duhen dy veta për të vallëzuar një Tango.
Një këngëtare dhe një aktor/regjisor; cili është më romantiku mes tyre?
Ne në shtëpinë tonë më romantikun, kemi regjisorin! Pastaj, duke ditur që romanca ka gjithmonë nevojë për muzikë, aty hyn në lojë këngëtarja.
Cili është veprimi më romantik që Genti ka bërë për Xhoin dhe e anasjellta?
Genti në vend të luleve, të përfshin në pikturat e tij. Në çdo pikturë të tij, unë e gjej veten. Të duhet pak intuitë që t’i analizosh ca veprimet e tij, për të gjetur romantikën. Për 30-vjetorin e tij, Genti ishte në Kanada, për arsye pune. Në atë kohë, ne akoma jetonim në Shqipëri. Doja t’i bëja një surprizë që ta mbante mend gjatë, e ja ku po e ripërmendim edhe pas më shumë se 10 vitesh. I shkova surprizë deri në Kanada dhe sigurisht ia prisha çdo lloj plani, që kishte bërë me miqtë e tij asokohe, por përfunduam në Ujëvarat e Niagaras! Përtej shakave, ai u gëzua shumë. Megjithatë, për këtë më mirë se Genti, s’mund të përgjigjet njeri tjetër.
Nëse historia juaj e dashurisë do të ishte libër, çfarë titulli do të kishte?
S’mund t’i vë një titull akoma. Shumë herët, por e shoh më shumë si një serial në vazhdim. ‘To be continued…’
E festoni Shën Valentinin? Si?
Jo, nuk para e festojmë. Në fakt, në përgjithësi nuk e kemi qëllim në vetvete të festojmë data si Shën Valentini, por ama për sa kohë që bëjmë aktivitete, sidomos udhëtime në familje, është gjithmonë festë. Pastaj, dhuratat i pranon edhe mbreti, e të tilla shkëmbejmë shumë. Por siç thotë edhe Genti, ne mund të festojmë edhe 1 Prillin, për sa kohë jemi në shoqëri të mirë, pa hile e plot aventura.
Si e thërrisni njëri-tjetrin më përkëdheli?
Genti më thërret Xhojo. Kurse unë Gent ose Gentushe! Kjo është në terma të mira, se në momente kritike? Bëhet apeli: Emër Mbiemër! (qesh).
Cila është ajo cilësi e Gentit për të cilën ti vërtetë je krenare?
E kam sekret, se kam frikë se e marr mësysh po ta përmend, edhe i kthehet virtyti në ves.
Po një veti/ves që do të doje të mos e kishte?
Kjo është akoma edhe më sekret, se kam frikë se i kthehet vesi në virtyt!
Nëse Genti është aty, mund ta pyesësh se çfarë ka Xhoi që nuk e ka asnjë grua tjetër në botë?
Genti thotë: Për momentin abonenti ka fikur telefonin! Ju lutem, mos telefononi më vonë po e kapët!
Pas disa vitesh, kur të moshoheni, cila do të ishte tabloja perfekte në mënyrën e jetesës?
Unë në një vilë buzë detit, ku të kenë mundësi të vijnë të na vizitojnë edhe fëmijët me familjet e tyre, kurse Genti në një ‘kasolle’ në breg të detit, me një Harley të parkuar jashtë.
U larguat nga Shqipëria, në një kohë kur me secilin prej jush fansat ishin afeksionuar jo pak…
Fatmirësisht nuk mendoj apo aq më tepër besoj se kishim arritur kulmin. Kushtet dhe rrethanat, reflektimi mbi sfidat e reja që donim të kishim, na çuan në këtë drejtim.
Çfarë ju mungon më shumë nga jetesa në Shqipëri?
Familjet, të afërmit, miqtë e mirë që kemi pasur dhe vazhdojmë t’i kemi dhe sigurisht publiku shqiptar, edhe pse e marrim ende një aromë Shqipërie nga bashkatdhetarët tanë këtu në Diasporë.
A ka diçka që do t’ju bënte të riktheheni përfundimisht në Shqipëri? E diskutoni ndonjëherë?
Diskutojmë shpesh. Për të ardhur përfundimisht ende jo, pasi fëmijët janë në shkollim e sipër e kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen tonë, por nuk i themi jo ofertave serioze. Pastaj atë vilën dhe ‘kasollen’ në buzë të detit që përmenda më lart, i duam ‘paksa’ në breg të detit Jon!
Galeria fotografike
bal