Partia Republikane, me në krye Fatmir Mediun i është bashkuar përpjekjes opozitare për të mbledhur qytetatë nga e gjithë Shqipëria në protestën e 20 shkurtit.
Mediu në një takim me strukturat e PR, e konsideroi protestën e 20 shkurtit si një mundësi që qytetarët shqiptarë të ngrenë zërin e tyre për një Shqipëri ku të drejtat respektohen dhe ekonomia zhvillohet.
“Si shqiptarë, ne duam një mundësi për të ecur drejt Europës dhe jo për t’u rikthyer në kohë të errëta të kontrollit të jetës së njerëzve, të kontrollit të politikës apo ndëshkimit për interesa politike. Kjo duhet të marrë fund! E vetmja mënyrë për të marrë fund është që qytetarët shqiptarë të çohen të gjithë së bashku!”– tha Mediu në takimin me strukturat e Partisë Republikane.
Ai solli në vëmendje 20 shkurtin e vitit 1991, ku u përmbys busti i diktatorit dhe tha se protesta e së martës është e njëjta situatë.
“Protesta e 20 shkurtit është për të përmbysur sjelljen e njëjtë nga disa njerëz që nuk kanë interesin e Shqipërisë, por interesin e pushtetit të tyre”.
Deputetët demokratë dhe anëtarët e PD janë mobilizuar me ture në vend për të bërë thirrje qytetarëve të mblidhen më 20 shkurt në protestën e thirrur nga opozita në kryeqytet.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo