Kuriozitete

Çfarë ndodhi me pasurinë e Hitlerit pas vdekjes së tij?

Kur Adolf Hitleri vrau veten pas rënies së Rajhut të Tretë Nazist më 30 prill 1945, ai e ndërmori këtë akt ekstrem pasi u detyrua të hynte në “Führerbunker”. Ky përbëhej nga një seri dhomash nëntokësore, ku ai dhe aleatët e tij më të afërt mbroheshin nga bombardimet e rënda të forcave sovjetike gjatë Betejës së Berlinit.

Bunkeri në fjalë, u ndërtua dhjetëra metra poshtë Kancelarisë së Rajhut. Atje ndodhej një rezidencë luksoze, ndërtimin e së cilit udhëheqësi nazist e porositi në vitin 1938 për t’u “bërë përshtypje njerëzve”.

Sipas librit “Brenda Rajhut të Tretë”, bazuar në kujtimet e njeriut të ngarkuar me krijimin e kancelarisë së re, Albert Speer, Hitleri e kishte urdhëruar këtë të fundit që ta ndërtonte shpejt por “me materiale shumë të forta”, duke i thënë: “Për këtë projekt kostoja është e parëndësishme!”.

Kancelaria u ndërtua vitin që pasoi dhe u bë qendra e Rajhut të Tretë, derisa nazistët u mundën në luftë. Historia e ndërtimit të saj, tregon për fondet e mëdha që ishin në dispozicion të Hitlerit për të përmbushur çdo tekë të tij. Në fakt, diktatori kishte nën kontrollin e tij personal arkën e shtetit, dhe për këtë arsye grumbulloi një pasuri të madhe personale përpara se të shembej perandoria e tij.

Por sa vlente pasuria e Hitlerit në kulmin e fuqisë së tij dhe çfarë ndodhi me atë pasuri të madhe? Përgjigja e shkurtër, është se pjesa më e madhe e saj, iu kthye atyre që u ishte vjedhur, ose 2 shteteve gjermane (të Lindjes dhe Perëndimit) që u krijuan pas luftës. Megjithatë, siç ka ndodhur në shumë raste, mbi të u zhvillua një betejë të madhe ligjore, ku u përfshinë ata që pretendonin se ishin trashëgimtarët e tij. Adolf Hitleri vinte nga një familje relativisht e varfër. Para shërbimit në ushtrinë gjermane, ai u përpoq të bënte emër si artist në Vjenë dhe shpeshherë mezi arrinte të fitonte bukën e gojës.

Pikërisht gjatë kësaj periudhe, i frustruar nga situata e tij personale, Hitleri filloi të përcaktonte në mendjen e tij fajtorët përgjegjës për të gjitha mangësi në shtetin gjerman: hebrenjtë. Më vonë, urrejtja e tij ndaj popullsisë hebreje të Gjermanisë si dhe ndaj vendeve fqinje u bë një element qendror për botëkuptimin e tij,dhe ishte baza për librin e tij “Mein Kampf“ (Lufta ime).

I botuar në dy vëllime në vitet 1925-1926, kur Hitleri ishte duke shkuar drejt pushtetit me Partinë Nacional Socialiste (Naziste), libri e bëri të pasur. Kur nazistët erdhën në pushtet, një kopje e tij i jepej çdo çifti të porsamartuar, duke rritur më tej shitjet dhe duke i siguruar Hitlerit rreth 12 milionë dollarë në vit me kursin e sotëm.

Por ai fitonte shumë para përmes honorareve nga portretet e tij zyrtare qeveritare. Hitleri dhe nazistët u fuqizuan shumë edhe nga donacionet e biznesmenëve të mëdhenj, por edhe nga pagat e tij për pozicionet politike që mbante. Madje kur erdhi në pushtet, Hitleri refuzoi të paguante taksat.

Në vitin 1933, ai shkriu në një postet e kancelarit dhe presidentit, duke e çimentuar pozicionin e tij si një diktator i plotfuqishëm që mund të bënte si të donte me financat e Gjermanisë. Një vit më pas, u miratua ligji që e përjashtonte Fyhrerin nga taksat.

Edhe pse ishte i bllokuar në Führerbunker dhe Rajhu i Tretë po shkatërrohej, Adolf Hitleri zotëronte një sasi të madhe pasurish dhe sot do të renditej si një nga njerëzit më të pasur në planet. Disa burime pretendojnë se pasuria e tij arrinte në disa miliarda dollarë. Përveç kancelarisë së Rajhut, e cila u shkatërrua gjatë Betejës së Berlinit, Hitleri kishte disa rezidenca private, përfshirë një shtëpi në Bavari të quajtur Berghof, dhe një apartament në Mynih.

Por ashtu po restauronte për veten një pallat të madh në qytetin polak Poznan. Nazistët ishin edhe grabitës të mëdhenj. Gjatë pushtimeve të tyre, ata grumbulluan shumë pasuri në vepra arti dhe ar, pjesa më e madhe e të cilave mbahej në Bankën Qendrore Gjermane.

Edhe pse këto pasuri do të përshkruheshin si të zotëruara nga Rajhu dhe jo personalisht nga Hitleri, si diktator ai ishte i lirë të shijonte thesarin sipas dëshirës. Disa nga vlerësimet më të bujshme, pretendojnë se në kulmin e tij ai mund të ketë kontrolluar 1 trilionë dollarë në asete.

Një ditë para vetëvrasjes së tij, kur kuptoi se mbretërimit të nazizmit po i vinte fundi, Adolf Hitleri diktoi edhe testamentin e tij të fundit. Në të, diktatori sulmoi armiqtë e tij, përfshirë ish-aleatët të cilët i akuzoi si përgjegjës për rënien e Rajhut të Tretë, dhe njoftoi martesën e tij para vdekjes së sigurt me partneren e tij Eva Braun.

Në testament thuhej: “Ajo që unë zotëroj i përket, për aq sa ka ndonjë vlerë, partisë naziste. Nëse partia nuk do të ekzistojë më, ajo do t’i përkasë shtetit. Dhe nëse shteti gjerman do të jetë i shkatërruar, çdo vendim tjetër nga unë nuk është më i nevojshëm”.

Hitleri përmend gjithashtu koleksionin e tij të veprave të artit, për të cilin ai pretendon se nuk u mblodh për kënaqësinë e tij private, por “ekskluzivisht për krijimin e një galerie arti në qytetin e lindjes, Linz ad Donau. Testamenti u nxor në fshehtësi nga Führerbunker nën mbikëqyrjen e njeriut të besuar të Hitlerit, Martin Bormann.

Natyrisht, aleatë që mundën Gjermanisë naziste, nuk kishin gjasa të përmbushnin ndonjëherë dëshirat e fundit të njeriut që qëndronte pas diktaturës fashiste, e cila besohet se ishte përgjegjëse për vdekjen e 40 milionë njerëzve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustin.

Kur testamenti i tij i fundit ra në duart e forcave aleate pas Betejës së Berlinit, ai u trajtua më shumë si një kuriozitet sesa si një dokument ligjor. Një kopje e tij iu dërgua Presidentit Harry S.Truman, dhe më vonë u ekspozua në Arkivat Kombëtare të SHBA-së.

Megjithatë, në një farë mënyre vullneti i Hitlerit u përmbush pjesërisht. Fondet e tij të njohura, si dhe të drejtat e pronësisë intelektuale për librin e tij “Mein Kampf” iu kthyen landit të Bavarisë, që e ndaloi botimin e mëtejshëm të librit në Gjermani, derisa e drejta e autorit skadoi përfundimisht në vitet 2010.

Bavaria, ku Hitleri ishte regjistruar si rezident, mori nën kontroll rezidencat e mbijetuara të Hitlerit dhe pasuritë e tjera të identifikueshme. Në vitin 1996, u raportua ishin zbuluar disa llogari bankare shtesë më Zvicër, me vlerë miliona euro. Por historia nuk mbaron me kaq. Me gjithë përbuzjen mbarëbotërore ndaj Hitleri pas përfundimit të luftës dhe zbulimit të kampeve naziste të përqendrimit, motra e tij, Paula, u përpoq të marrë pjesën e saj nga pasuria e vëllait. Por çështja u zvarrit për shumë kohë, pasi trupi i Hitlerit nuk ishte identifikuar siç duhet, pasi ishte shkrumbuar së bashku me atë të Eva Braun në kopshtin e Kancelarisë menjëherë pas vdekjes së tij.

Do të kalonin dekada përpara se fragmentet e eshtrave të mbledhura nga skena të konfirmoheshin se i përkisnin Führer-it të vdekur. Megjithatë, Paula u zhvendos në apartamentin e Hitlerit në Mynih në vitin 1952, dhe e vazhdoi betejën e saj ligjore, pavarësisht mungesës së një certifikate vdekjeje. Ajo vdiq më 1 qershor 1960. Trashëgimia e saj që përbënte 2/3 e pasurisë së njohur të Hitlerit, iu njoh më në fund 5 muaj më vonë.

Burimi: Grunge