Izraeli zyrtarizoi të dielën refuzimin e asaj që e quan “njohje e njëanshme” e një shteti palestinez dhe shtoi se një marrëveshje e mundshme duhet të arrihet vetëm nëpërmjet negociatave të drejtpërdrejta. Një ditë më parë, kryeministri izraelit deklaroi se nuk kishte kuptim vazhdimi i bisedimeve me Hamasin. Bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur deri më tani vendosjen e një pauze në luftimet në Gazë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu e njoftoi qëndrimin nëpërmjet një deklarate, të cilën e paraqiti për t’u votuar gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, që e miratoi atë unanimisht.
“Për shkak të ideve rishtazi të komunitetit ndërkombëtar për një përpjekje për t’i imponuar Izraelit në rrugë të njëanshme një shtet palestinez, sot po paraqes për miratim nga qeveria një deklaratë vendimmarrëse për këtë çështje. Jam i sigurt se do të pranohet gjerësisht”, njoftoi kryeministri Netanyahu.
Deklarata zyrtare reflekton qëndrimin e Izraelit ndaj atij që e quan imponim për një shtet palestinez.
“Kjo është deklarata: Izraeli refuzon kategorikisht diktatin ndërkombëtar në lidhje me një marrëveshje të përhershme me palestinezët. Një marrëveshje e tillë do të arrihet vetëm nëpërmjet negociatave të drejtpërdrejta me palët, pa parakushte. Izraeli do të vazhdojë ta kundërshtojë njohjen e njëanshme të një shteti palestinez. Një njohje e tillë pas masakrës së 7 tetorit do t’i dhuronte terrorizmit një shpërblim të jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë dhe do të pengonte një marrëveshje të ardhshme për paqen”, lexoi zoti Netanyahu nga deklarata zyrtare.
Kryeministri izraelit ishte shprehur më herët të shtunën se nuk kishte kuptim vazhdimi i bisedimeve për armëpushim në Gazë dhe i quajti “haluçinacione” kërkesat e Hamasit.
Duke folur për gazetarët, kryeministri Netanyahu tha se, me kërkesë të presidentit amerikan Joe Biden, kishte dërguar negociatorë në bisedimet për armëpushimin në Kajro, por se bisedimet kanë ngecur.
Hamasi qarkulloi një deklaratë të shtunën duke fajësuar Izraelin për mungesën e progresin në arritjen e një armëpushimi në Gazë. Hamasi thotë se do të pranojë vetëm një ndalim të plotë të luftimeve, tërheqjen e Izraelit nga Gaza dhe lirimin e të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.
Kryeministri i Katarit, Sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, tha se megjithëse ditët e fundit nuk qenë premtuese, ai vazhdon të jetë optimist.
Bisedimet ku ndërmjetësojnë Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur deri më tani arritjen e një pauze në luftime./VOA
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo