Lajme

20 shkurti i 1991-shit, 33 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha

Si sot 33 vite më parë, u rrëzua shtatorja e ish diktatorit Enver Hoxha, i cili kishte mbajtur nën sundim për 50 vjet popullin shqiptar, për të mbetur në histori si një ndër diktatorët më të egër ndaj popullit të tij, në historinë e Evropës.

Më 20 shkurt të vitit 1991 mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.

Kjo ishte nga ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri. Rrëzimi i bustit të diktatorit u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij.

Fotografi nga rrëzimi i bustit të ish diktatorit Enver Hoxha, 20 shkurt të vitit 1991
Fotografi nga rrëzimi i bustit të ish diktatorit Enver Hoxha, 20 shkurt të vitit 1991

Ngjarja erdhi pas zhvillimeve të rëndësishme politike që kishin ndodhur në dhjetor 1990 kur përmes protestave studentore të pasuara nga protesta e shumicës së shqiptarëve, u rrëzua sistemi komunist.

Momenti kur statuja e Enver Hoxhës u rrëzua atë ditë të ftohtë shkurti me dhunë, por edhe që u tërhoq zvarrë njihet si akti simbolik i rrëzimit të diktaturës. Kësisoj 20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist. Kjo shënoi edhe fundin e diktaturës në Shqipëri.

Pamjet e atij momenti në sheshin “Skënderbej” bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare.

Ditët e dhjetorit ‘90 dhe ato të muajve të parë të vitit 1991, ishin të ngjeshura me ngjarje mjaft të rëndësishme. Partia Demokratike nisi aktivizimin masiv me një miting në sheshin e Qytetit Studenti me 23 dhjetor 1990. Brenda pak ditësh u liruan nga burgu një grup prej 393 të dënuarish për arsye politike.

Kuvendi Popullor doli me një dekret më 23 janar 1991 që parashikonte respektimin dhe mbrotjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simboleve shtetërore, ku përfshihej busti i Enver Hoxhës.

Fotografi nga rrëzimi i bustit të ish diktatorit Enver Hoxha, 20 shkurt të vitit 1991

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo