8 punonjës mbetën të lënduar mbrëmjen e kësaj të mërkure, 21 shkurt, në ambientet e kompanisë “Yura Corporation” në Fier. Fillimisht u raportua se punonjësit kishin mbetur të asfiksuar si pasojë e një rrjedhje të lëndëve kimike. Ndërkohë, më pas u bë me dije se punonjësit kanë pësuar skuqje lëkure në krah, si pasojë e reaksionit nga lëndët kimike që përdoren gjatë procesit të punës në kompaninë që operon në sektorin e pajisjeve elektrike për automjetet.
Lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe Policia e Fierit, të cilët përmes një njoftimi zyrtar sqaruan se punonjësit e kësaj kompanie shfaqën probleme shëndetësore dhe kërkuan ndihmë mjekësore.
7 prej tyre kanë marrë ndihmën e parë në ambientet e kompanisë, dhe janë larguar në banesë, ndërsa njëra prej tyre vijon të marrë ndihmën mjekësore në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
LEXO EDHE: Punonjësit mbetën të lënduar teksa punonin, Policia sqaron ngjarjen në Fier
Por, kush është “Yura Corporation” e cila prej vitesh operon në vendin tonë?
Kompania koreane “Yura Corporation”, është një ndër kompanitë të cilat merren me prodhimin e elementeve elektrike të automjeteve. Yura Corporation Albania u themelua në prill 2018, si një nga kompanitë europiane të vendosura në këtë sektor nga kompania mëmë. Pronari i kësaj kompanie është DAE YEOL OHM, shtetas korean, i datëlindjes 1967. Ai është pronar përfitues për 100% të pronësisë, pasi zotëron 100% të kapitalit të shoqërisë koreane Balfin – Yura Corporation Co., Ltd (150111-0016506).
“Yura Corporation Albania”, është vendosur në qytetin e Fierit dhe është prodhuese e pajisjeve kabllore dhe produkteve të tjera të ngjashme për makinat. Një ndër prioritetet e kësaj kompanie qysh në fillim kanë qenë kushtet e punonjësve të cilat u tha se do të jenë në përputhje me të gjitha kushtet europiane.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo