Gjatë seancës së sotme plenare u miratua me 77 vota pro marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët. Marrëveshja e cila parashikon ngritjen e kampit të emigrantëve në Lezhë mori mbështetjen edhe të deputetëve të PDIU-së, të cilët i dhanë 3 vota pro.
Jashtë ambienteve të Kuvendit, deputetja Mesila Doda u shpreh se ky ligj ka të bëjë me një vend mik siç është Italia, të cilët kanë qenë pranë Shqipërisë sa herë që ajo ka pasur nevojë.
Sipas Dodës kjo marrëveshje duhet të mbështetej nga të gjithë, pasi Italia ka ndihmuar vendin tonë gjithmonë kur ka pasur kriza.
“Po ka pasur një votim të deputetëve PDIU pro marrëveshjes me Italinë, Ju kujtojmë që është një vendim i gjykatës që i hap rrugë kësaj marrëveshje dhe kemi të bëjmë me një shtet që është mik me Shqipërinë, siç është Italia. Ne duhet të jemi në krah të atyre.
Nuk bëhet fjalë të mbështesim individë siç është Fredi Beleri ne flasim për një shtet mik që na ka qëndruar pranë në momentet tona të krizave.
Bëhet fjalë për marrëveshjen me Italinë e cila absolutisht duhej të mbështetej nga të gjithë pasi kemi qenë ne sa herë që kemi pasur nevojë kemi pasur pranë vetes shtetin italian”, tha Doda.
Për rreth 7 minuta e 30 sekonda parlamenti miratoi sot ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe ligjin e marrëveshjes me Italinë për strehimin e emigrantëve afganë në Shëngjin. Të dy këto ligje që janë kundërshtuar nga opozita.
LEXO EDHE: Votohet për 7 minuta ligji për Zonat e Mbrojtura dhe marrëveshja me Italinë
Kujtojmë që Italia po planifikon të hapë dy objekte në Shqipëri pranverën e ardhshme, një për të kontrolluar emigrantët në momentin e mbërritjes dhe një të dytë për t’i ndaluar ata gjatë shqyrtimit të kërkesave për azil. Kampet do të funksionojnë nën juridiksionin italian, me staf italian, por në territorin shqiptar.
Plani italian është që qendrat të kenë një kapacitet prej 3000 personash, ku do të pranohen vetëm meshkujt, duke përfshirë edhe kërkuesit për azil që kapen në det nga roja bregdetare italiane. Plani sipas vlerësimeve të ekspertëve për pesë vitet e para do të kostojë 700 milionë euro.
Kryeministsri Edi Rama, ka theksuar se “marrëveshja me Italinë për emigrantët nuk bie ndesh me qëndrimin e BE-së për imigracionin. Përkundrazi, ajo që ne bëjmë me Italinë është ajo që duhet të bëjë një shtet anëtar”.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo