
Deputetët e grupit të Rithemelimit i kanë kërkuar këtë të enjte Gazment Bardhit që t’i informonte mbi Federatën Opozitare, një formacion politik që ka bërë bashkë grupin e Bardhit e Berishës dhe aleatët e djathtë në opozitë.
Mesa duket, mes deputetëve dhe vetë aleatëve në Federatën Opozitare është artikuluar ideja e një greve të mundshme urie. Por, ka dhe nga ata deputetë që e kundërshtojnë këtë ide, siç është Edmond Spaho.
Sipas tij, deputetët nuk mund të mund të ngujohen në një greve urie në një moment të tillë të aksionit opozitar, sepse kjo do t’i tregonte qesharakë përballë shqiptarëve.
Ndërkohë, deputeti tjetër Luan Baçi i ka kërkuar Gazment Bardhit t’i sqaronte për projektin e Federatës Opozitare, nëse ajo do të shërbejë dhe si grupim politik që do garojë në zgjedhje, apo jo. Edhe vetë demokratët nuk kanë informacion për këtë bashkim të ri.
“Pse nuk na informoni për Federatën e Opozitës. Dhe tjetra, a do te jene aleatet neper listat tona? Nuk kemi asnjë informacion”, raportohet se ka thënë deputeti i Fierit, Luan Baçi.
Në përgjigjen e tij, Gazment Bardhi ka theksuar se nuk bëhet fjalë për një koalicion elektoral, por për një projekt politik që ka synuar bashkimin e të gjitha partive opozitare, për t’u përballur me atë që ata e cilësojnë si regjim të Edi Ramës.
Megjithatë, si një nga drejtuesit e kësaj Federate Opozitare, Bardhi nuk ka përjashtuar mundësinë që në zgjedhje ky projekt të marrë rolin e një koalicioni.
“Federata është një projekt politik opozitar, nuk është koalicion elektoral. Ai mund te jete nesër një koalicion elektoral, por ende nuk jemi ne atë faze”, ka thënë Gazment Bardhi.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo