Lajme

Sa shtetas të Kosovës dhe të shteteve të tjera me shqiptarë jetojnë në Zvicër

Si shtetas të Kosovës më 31 dhjetor 2023 figurojnë 116.804 banorë. Me pasaportë të Shqipërisë janë 3350, ndërsa me të Maqedonisë së Veriut, 70141 persona.

Njëri ndër lajmet kryesore që kanë shpërndarë mediat zvicerane gjatë ditës së sotme ka qenë ai që bën fjalë për numrin e të huajve në Zvicër, i bazuar në statistikat më aktuale të publikuara nga Sekretariati Federal për Migracion (SEM). Të dhënat i referohen 31 dhjetorit të vitit 2023, si data më e re për të cilën ka shënime në dispozicion.

Mediat e këtushme, duke publikuar këtë lajm, në të shumtën e rasteve kanë vendosur fokusin, në rritjen “neto” të numrit të të huajve gjatë vitit të fundit. Dhe kjo rritje duket e konsiderueshme, shkruan albinfo.ch. Kështu, sipas burimit të përmendur tashmë, në Zvicër gjatë vitit 2023 ka pasur një rritje krahasuar me një vit më parë prej 98,851 personash me shtetësi të huaj.

Më tutje, krahas të dhënave të tjera, statistika në fjalë jep edhe listën e numrit të huajve sipas numrit të tyre, ku, sikur edhe deri më tani, të parët janë italianët (342,454), pas tyre vijnë gjermanët (326,033 persona), portugezët (260,462 persona) dhe francezët (165,684 persona). Por, në këtë radhitje, në komunikatën përkatëse mungojnë shqiptarët, gjegjësisht shtetasit e Kosovës, të Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi (me etni shqiptare) dhe të Shqipërisë, për faktin e thjeshtë se nuk janë në mesin e katër të parëve.

UBT

Duke hulumtuar më tutje, albinfo.ch ka marrë shifrat specifike për të gjitha shtetet, nga burimi, gjegjësisht SEM, ku hyjnë edhe ato të shteteve të përmendura. Kështu, si shtetas të Kosovës këtu figurojnë gjithsej 116.804 banorë. Me pasaportë të Shqipërisë janë 3350, ndërsa me të Maqedonisë së Veriut, 70141 persona. Numri i përgjithshëm i shtetasve të Serbisë është 57087, ndërsa i atyre të Malit të Zi, 2247. Duke parë këto shifra, mund të konstatohet se numri i shqiptarëve (që nuk kanë pasaportën zvicerane) nga këto dy vende duhet të jetë i vogël.

Numri i të huajve është paraqitur edhe sipas statusit të qëndrimit të tyre në Zvicër. Te shtetasit e Kosovës, për shembull, numrin më të madh e përbëjnë ata me leje të qëndrimit të përhershëm (Viza C), ku figurojnë 92462 veta. Me Vizë B janë 24126, ndërsa me leje të tjera qëndrimi është një numër dukshëm më i vogël.

Si gjithmonë duhet të theksohet se këta numra flasin për ata të huaj që nuk kanë pasaportë zvicerane, kujton albinfo.ch. Në këtë kuptim, si te shtetasit e Kosovës, ashtu dhe te ata të shteteve të tjera të përmendura (Shqipëri, Maqedoni, Serbi…), po të zbatohej faktori etnik, do të dilte një numër dukshëm më i madh i shqiptarëve, së paku sa dyfishi i numrave të përmendur më lart.
https://www.albinfo.ch/sa-shtetas-te-kosoves-dhe-te-shteteve-te-tjera-me-shqiptare-jetojne-ne-zvicer-sipas-statistikave-te-fundit/