Masat ajrore të lagështa të shkëputura nga disa qendra të thella presioni me origjinë nga cikloni I Islandës do të bëjnë që vendi ynë këtë fundjavë të ketë kushte të paqëndrueshme atmosferike. Moti do të jetë I vranët por nuk do të mungojnë as intervale të herëpashershme kthjellimi.
Ditën e Shtunë reshjet e shiut do të jenë prezente që prej orëve të para të 24-orëshit me intensitet të ulët e lokalisht mesatar. Në orët e pasdites në intervale të shkurtra kohore në veriperëndim të vendit reshjet parashikohen me intensitet mesatar e lokalisht të lartë në formën e stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.
Ditën e Diel reshjet do të ulin intensitetin, por do të vijojnë të jenë të herëpashershme në një pjesë të madhe të territorit në formën e shtrëngatave të karakterit lokal prej orëve të para të mëngjesit. Në veriperëndim reshjet parashikohen me intensitet deri mesatar në formën e rrebesheve të shpejta.
Reshjet e dëborës në Alpe parashikohen në formën e stuhive të dëborës ndërsa në majat e maleve në verilindje e juglindje të vendit do të jenë me intensitet të ulët.
Vlen të theksohet si intensive e relativisht problematike elementi I erës me drejtim nga kuadrati I jugut 2-9m/s, ndërsa në bregdet arrin shpejtësi deri 17m/s shoqëruar me dallgëzim të forcës 2-5 ballë, raporton Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo