Lajme

Shefi i Krimeve të Durrësit: Pëllumb Meta do e fejonte vajzën!

Elton Shahini, shefi i Krimeve në Policinë e Durrësit ka treguar këtë të hënë detaje nga zbardhja e krimit të rëndë që ndodhi në Shënavlash, ku fëmijët vranë babain me armë zjarri. Sipas tij, gjatë marrjes në pyetje, Hygerta Meta ka pretenduar se e kishte vrarë ajo babain në kasollen e lopës dhe po atje e kishte groposur.

Mirëpo, dyshimet e hetuesve kanë bërë që studentja 19 vjeçare të merrej disa herë në pyetje dhe nga presioni, ajo është thyer, duke treguar ngjarjen e vërtetë dhe rolin e gjithsecilit nga anëtarët e familjes. Në shtëpi janë gjetur dhe gjurmë nga arma e zjarrit, duke provuar se vrasja e Pëllumb Metës kishte ndodhur në sallon.

Elton Shahini, shefi i Krimeve në Policinë e Durrësit ka treguar rolin e secilit prej fëmijëve dhe procedimin penal për nënën e tyre, njëherësh dhe gruaja e të ndjerit. Sipas deklarimeve, del se shtetësja Blerina Meta ka qenë në dijeni të vrasjes dhe ka pastruar shtëpinë bashkë me vajzën.

“Nga intervistimi i vazhdueshëm i vajzës, ajo çedoi dhe tregoi ngjarjen e vërtetë dhe rolin e gjithsecilit. Krimin e ka bërë Hyseni, në bashkëpunim me të motrën, Hygertën, i vëllai Amarildo ka ndihmuar në varrosjen në kasolle.

Bashkëshortja nuk ka qenë në momentin e vrasjes, por zonja në fjalë ka bërë veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Është marrë me pastrimin e shtëpisë”, është shprehur shefi i Krimeve.

Më tej, Elton Shahini ka deklaruar se në bazë të informacioneve policore Pëllumb Meta ushtronte dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikologjike ndaj familjes. Madje, ndryshe nga çfarë deklarohet nga të afërm apo dhe fqinj të tij, viktima e kishte vendosur se më datë 1 Mars vajza do të fejohej.

“Shtetasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike në mënyrë të pandërprerë. Ai i kërcënonte se do t’i përzinte nga shtëpia. U thoshte ju nuk punoni, toka është e imja. Edhe për vajzën kishte vendosur se do ta fejonte. U kishte thënë se më 1 mars do vijë djali nga Italia dhe ju do fejoheni. Nëse nuk pranoni, do ju përzë të gjithëve nga shtëpia.

Bashkëshortja e të ndjerit është nën mbrojtjen e Policisë dhe është shoqëruar për te familjarët e saj. Ka marrë sendet e saj personale në ambientet e shtëpisë, e shoqëruar nga Policia dhe më pas është dërguar te familja e saj”, ka përmbyllur Elton Shahini, shef i Krimeve në Policinë e Durrësit.

© Newsbomb.al

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo